☀️
Tiranë 24°C · Kthjellët 29 July 2026
S&P 500 7,429 ▲0.21%
DOW 52,747 ▲1.03%
NASDAQ 24,877 ▼0.22%
NAFTA 81.06 ▲2.27%
ARI 4,026 ▼0.32%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $63,993 ▼ -1.12% ETH $1,923 ▼ -0.61% XRP $1.0688 ▼ -1.31% SOL $74.1200 ▼ -1.66%
S&P 500 7,429 ▲0.21 % DOW 52,747 ▲1.03 % NASDAQ 24,877 ▼0.22 % NAFTA 81.06 ▲2.27 % ARI 4,026 ▼0.32 % S&P 500 7,429 ▲0.21 % DOW 52,747 ▲1.03 % NASDAQ 24,877 ▼0.22 % NAFTA 81.06 ▲2.27 % ARI 4,026 ▼0.32 %
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
29 Jul 2026
Breaking
Opinion

Të reflektosh jo me fjalë ndaj qeverisjes

Nga Leonidha Mërtiri

Fillimi i protestës që nisi gati dy muaj më parë nuk mund të mos shkaktonte entuziazëm. Nisi me një pjesëmarrje masive, ku të rejat dhe të rinjtë ishin violinë e parë, paqësore, pa shashkat, molotovët, fishekëzjarrët e mëparshëm, pa ulërima dhe thirrje vdekjeje… Ajo, po shkundëte politikën dhe të gjithë ne, pa qenë utopikë, me forcë të re, më të besueshme, – se mund t’ia arrijmë asaj që dëshirojmë: larg korrupsionit, me njerëz seriozë, të zotë, të përkushtuar dhe atdhetarë të vërtetë, jo me xhvatës apo hileqarë të pacipë, që hedhin gurë e fshehin dorën. Legjitime kjo. Sepse dhimbet çdo pëllëmbë e këtij vendi, çdo frymë e tij, që t’i gëzohen kthimit të njerëzve tanë përtej deteve, ikur nga sytë këmbët prej mosrrugëdaljes, pa e zgjatur kohën duke pritur e pritur, lënë prapa vendin, njerëzit më të afërm të tyre.

Dhe, një reflektim serioz ndaj qeverisjes, pa mbetur në fjalë të bukura, kërkon, pikërisht në radhë të parë këta njerëz me integritet, të ditur, idealistë. Këtu mendojmë të ndalemi për një reflektim real të qeverisjes.

Vendi i ka ata aty dhe në diasporë, madje, personalitete të njohur, të rinj apo specialistë me një barrë dijesh dhe përvoje në të gjitha fushat, që mund ta drejtojnë atë suksesshëm. E rëndësishme është t’i vlerësosh dhe të jesh transparent me ta. Por dhe as duke u grumbulluar gjithçka vetëm në duart e shefit të qeverisë. Kështu, edhe besimi i humbur, jo pak, do të kthehet konkretisht dhe jo përmes retorikave të zbrazëta e pa fund. Pyetjet “kush është pranë kryeministrit?” apo “më thuaj kë pranë ke, të të them se cili je” në vlerësim të bashkëpunëtorëve, do të kenë përgjigje më të zëshme dhe inkurajuese nga drejtimi i gjithësecilit. Dialogu i njerëzve në krahë të tij me personalitete të njohur apo qytetarë të thjeshtë, duke parë së bashku plagët e qeverisjes do të bënte që të ishim më afër një reflektimi serioz. Dhe kjo – jo sa për sy e faqe, por me nevojën për të dalë nga cirkuli i rënduar i përpjekjeve zvarritëse. Në këtë mënyrë u ngushtohet rrezja dhe qëndrimeve autoritariste, që bëhen shkak për staturën pushtetare të njëshit , qoftë ky në ekzekutiv apo gjetkë.

Në këtë kuadër, kontaktet e mësipërme ose ato me median, kthehen në këshilltarët më të mirë. Lexoni, ju lutem, një nga editorialët e kësaj gazete të datës 7 korrik të vitit të kaluar. Flitet për bujqësinë shqiptare, për paralizimin e saj. Problemet janë aty, ku jepet dhe zgjidhja e tyre, duke filluar nga decentralizimi i pushtetit lokal dhe se pranimi në Bashkimin Europian kërkon të kthehen mirë sytë nga fshati, për integrimin e këtij të fundit në shtetin shqiptar, zhvillimin e bujqësisë si degë parësore e ekonomisë sonë. Kryeministri dhe njerëzit e tij në drejtimin e këtyre sektorëve mund të jenë kontaktuar me këto vlerësime a të tjera si këto. Çështja është, sikundër thamë, të mos mbetemi në tjerrje fjalësh ku fermeri është tejet i lodhur prej tyre nga pritja e gjatë, në vend të zbatimit të ideve të avancuara, të guximshme si ato që përmendëm apo të shkencëtarëve tanë të mirënjohur, për zhvillim normal të bujqësisë përballë sfidave jo të pakta e përkrah subvencioneve dhe mbështetjes nga shteti.

Pandryshueshmëria apo të ashtuquajturat ndryshime me hap breshke, i depresionojnë njerëzit, ngulitet me të drejtë tek ata se “kështu do të ecet brenda istikameve të palëvizshëm”, se “…siç ka qënë do të jetë…”. Pesimizëm i justifikuar pas çdo arrogance dhe veprimtarive korruptive institucionale. Provojeni të shkoni në hipotekë. Lodhje nervash dhe këmbësh përmes një odiseje që nuk di kur mbaron pa tundur xhepat. Kështu vazhdon të vuash qëndrimin e zyrtarëve marifetçinj, fodullë dhe mediokër.

Nëse ministrat përkatës, drejtues të institucioneve zgjidhen jo në bazë të meritave por të militantizmit apo se kështu i vlerëson iksi a ipsiloni, doemos, çdo të mbjellësh, do të korrësh. Emra të panjohur, që nuk të thonë asgjë, madje, larg përvojës nga fushat e emërimit, që i bëhen barrë qeverisjes. Ka një metër real të vlerësimit të tyre: përmbysja e situatës së keqe. Nëse në hipotekat, shëndetësi e kështu me radhë, plagët vetëm mahisen nga supermenët e qeverisjes, që as begenisin të futen në lëkurën e hallexhiut, pyetja që bëhet pas kësaj është legjitime:

Si mund të vazhdohet me këtë lloj qeverisje? Kësaj i thonë: O Muço, të hëngërt tënja, e ke të keqen brenda. Plaga duhet shëruar sa më parë, pavarësisht zgjerimit të tentakulave. Le të shpresojmë. Ndryshe njerëzit bëhen indiferentë dhe marrëdhëniet me shtetin e tyre fillojnë të mërdhijnë, duke i thërmuar keqas ëndrrat për një jetë më të mirë. Ndaj themi që fillimprotesta kishte vlerën e vetë për largimin e përgjumjes, pa folur për vazhdimësinë e mëtutjeshme të saj. Flasim për një reflektim të vërtetë ndaj qeverisjes, jo me fjalë të mëdha e premtime boshe.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.