“Tërhiquni sa s’është tepër vonë”- Ministri Demo paralajmëron autorët e dhunës: Studentët po shfrytëzohen nga po
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas protestës së sotme, duke akuzuar aktorë politikë dhe persona të maskuar se kanë shfrytëzuar pakënaqësinë e studentëve për të nxitur dhunë dhe dëmtim të pronës publike e private.
Ai ka mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit, ndërsa u ka bërë thirrje studentëve të distancohen nga dhuna dhe të vijojnë dialogun me qeverinë.
Reagim i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:
“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private.
Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë.
U bënë bashkë për të sfiduar qetësinë dhe durimin tonë
U bënë bashkë me një skenar ogurzi, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e natyrshme të studentëve për progres dhe padurimin e natyrshëm të më të rinjve për shpejtësinë e progresit. Si dikush që në politikë ka ardhur nga auditori i Universitetit dhe që nuk ka ndërmend të sillet si profesor sonte, dua t’u them studentëve që të përfshirë në këtë vorbull, në radhë të parë atyre të mjekësisë, të cilët vijnë nga radhet e nxënësve më të mirë: Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju! Sepse ne nuk ju shohim kurrësesi në asnjë rast e për asnjë arsye si kundërshtarë, po vetëm si trashëgimtarë të një stafete kombëtare që nesër do të jetë e juaja.
Po çfarë Shqipërie doni të trashëgoni, atë që po ndërtojmë apo atë që e trashëguam të shkatërruar, nga duart e pikërisht atyre që me një grup maskash në ballë po bëjnë çmos të risjellin rrëmujë e pasiguri në Shqipëri?
Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit, të cilën e kanë projektuar mendje të mbrapshta që s’kanë asnjë lidhje me ju.
Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.