Thellohet hendeku, Shqipëria ka mjekë sa 53% e mesatares së BE-së në raport me popullsinë
Shqipëria ka 22.7 mjekë për 10.000 banorë, vetëm 53% e mesatares së BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut kryeson rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Siç njofton Shqiptarja.com, duke iu referuar të dhënave të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) për vitin 2025, Shqipëria ka 22.7 mjekë për 10.000 banorë, çka përbën vetëm 53% të mesatares së Bashkimit Europian. Hendeku me BE-në, pra, mbetet i thellë, ndërsa numri i ulët i mjekëve vazhdon të jetë një sfidë për sistemin shëndetësor shqiptar.
Sipas të njëjtave të dhëna, Maqedonia e Veriut kryeson rajonin e Ballkanit Perëndimor, me 33.8 mjekë për 10.000 banorë, ose 79% të mesatares së BE-së, e ndjekur nga Serbia me 32.3 mjekë, ose 76%, dhe Mali i Zi me 27.9 mjekë, ose 65%. Shqipëria, me 22.7 mjekë, ose 53% të mesatares së BE-së, pasohet nga Bosnjë-Hercegovina me 21.1 mjekë, ose 49%, dhe Kosova me 19 mjekë, ose 44% të mesatares së BE-së.
Krahasuar me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut ka rreth 49% më shumë mjekë për banor, Serbia rreth 42% më shumë, ndërsa Mali i Zi rreth 23% më shumë. Dallimet tregojnë se Shqipëria mbetet dukshëm pas vendeve fqinje me numrin më të lartë të mjekëve në raport me popullsinë.
Krahasuar me një vit më parë, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë humbur terren ndaj mesatares së BE-së. Shqipëria është përkeqësuar me 0.9 pikë përqindjeje, Kosova me 3.8 pikë, Maqedonia e Veriut me 2 pikë, Mali i Zi me 1.1 pikë, Serbia me 1 pikë dhe Bosnjë-Hercegovina me 0.1 pikë, çka do të thotë se hendeku me BE-në u thellua kudo në rajon.
Numri i ulët i mjekëve mbetet një sfidë për sistemin shëndetësor të Shqipërisë, duke ndikuar në aksesin, cilësinë dhe kapacitetin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Numri i mjekëve për banor nuk është treguesi i vetëm i cilësisë, por është një tregues kyç për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.