TOKIO – Gjermania dhe Japonia forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe teknologji
TOKIO, 28 tetor /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Japonia kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë ekonomike, teknologjisë së avancuar dhe mbrojtjes, gjatë vizitës së kancelarit gjerman Friedrich Merz në Tokio.
Kancelari Merz dhe kryeministrja japoneze Sanae Takaichi njoftuan se do të thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, në një kohë kur sfidat e sigurisë ndërkombëtare po rriten.
Sipas marrëveshjes, dy vendet do të krijojnë një mekanizëm të përbashkët dialogu për inteligjencën artificiale dhe do të organizojnë një samit për këtë temë në Japoni.
Gjermania dhe Japonia synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes ushtrive dhe industrive të tyre ushtarake.
Gjatë vizitës u nënshkruan rreth 30 marrëveshje mes institucioneve shtetërore dhe kompanive, përfshirë bashkëpunimin për energjinë e hidrogjenit dhe teknologjinë e shkrirjes bërthamore.
Merz kërkoi ndihmën e Japonisë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Kievi ka kërkuar sisteme amerikane Patriot për t’u mbrojtur nga raketat ruse, por Japonia deri tani ka refuzuar t’i dërgojë, duke përmendur kufizimet ligjore dhe nevojat e veta të mbrojtjes.
Gjermania shqyrton bashkëpunimin për avionë luftarakë
Dy liderët diskutuan gjithashtu mundësinë që Gjermania t’i bashkohet programit për zhvillimin e avionëve luftarakë GCAP, ku marrin pjesë Japonia, Britania e Madhe dhe Italia.
Japonia shpreson që Gjermania të marrë një vendim deri në fillim të vitit 2027.
Megjithatë, Merz tha se vendit të tij mund t’i duhet më shumë kohë për të vendosur.
Gjermania po kërkon alternativa pasi projekti i përbashkët franko-gjerman për zhvillimin e një avioni të ri luftarak nuk arriti të zhvillohej këtë vit.
Merz propozon një aleancë të re për tregtinë botërore
Gjatë vizitës në Azi, kancelari gjerman propozoi gjithashtu krijimin e një aleance mes vendeve që duan të mbrojnë rregullat ndërkombëtare të tregtisë.
Sipas tij, këto vende duhet të bashkërendojnë veprimet kur shtetet e tjera shkelin rregullat tregtare ose ushtrojnë presion ekonomik.
Aleanca e propozuar nuk do të zëvendësonte Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), por do të ndihmonte në reformimin e saj dhe në reagimin e përbashkët ndaj tarifave të padrejta tregtare.
Merz kërkoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve tregtare mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit të Paqësorit, si dhe rifillimin e përpjekjeve për një marrëveshje tregtie të lirë mes BE-së dhe vendeve të Azisë Juglindore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.