TOKIO – Japonia zbulon elemente të rralla me vlerë të lartë në thellësi të detit
TOKIO, 24 korrik /ATSH – AA/ – Japonia ka identifikuar disa elemente të rralla të kategorisë së mesme dhe të rëndë, të nevojshme për prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë, gjatë një projekti eksplorues në thellësi të detit që synon sigurimin e furnizimeve me minerale kritike.
Siç raporton agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, Agjencia Japoneze për Shkencën dhe Teknologjinë Detare-Tokësore (JAMSTEC) bëri të ditur se elementet e rralla të nxjerra nga mostrat e baltës së shtratit të detit përbëheshin rreth 54 për qind nga elemente të rralla të mesme dhe të rënda, përfshirë itriumin, gadoliniumin dhe disproziumin.
Ndërkaq, 46 për qind e mbetur përbëhej nga elemente të rralla të lehta, përfshirë neodimiumin.
JAMSTEC nuk bëri të ditur sasinë totale të elementeve të rralla të nxjerra nga mostrat.
Gjetjet do të hapin rrugën për një test të nxjerrjes në shkallë të plotë në të njëjtën zonë, i cili do të zgjasë rreth një muaj dhe do të nisë në shkurt të vitit 2027. Qeveria synon të vlerësojë kostot dhe realizueshmërinë e prodhimit komercial deri në mars të vitit 2028.
Më pas, autoritetet do të vlerësojnë kostot dhe përfitimet e zhvillimit industrial të projektit deri në mars të vitit 2028.
“Është jashtëzakonisht e vlefshme për ne të shohim veçanërisht itriumin, pasi vlera e tij është rritur me shpejtësi në tregun global”, tha Shoichi Ishii, drejtuesi i projektit nga zyra e kabinetit japonez.
Japonia ka kërkuar të diversifikojë furnizimet me elemente të rralla, pasi shumica e importeve të saj vijnë nga Kina. Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan vitin e kaluar pasi komentet e kryeministres Sanae Takaichi mbi mënyrën se si Japonia mund të reagojë në rast të një krize që përfshin Tajvanin nxitën Pekinin të kufizojë eksportet e mallrave me përdorim të dyfishtë, përfshirë edhe elementet e rralla.
Elementet e rralla përdoren në një gamë të gjerë produktesh, nga pajisjet elektronike dhe sistemet e mbrojtjes deri te teknologjitë e energjisë së rinovueshme dhe automjetet elektrike.
Anija kërkimore Chikyu e JAMSTEC-it mblodhi rreth 50 tonë baltë nga fundi i detit në një thellësi prej rreth 5.600 metrash, pranë ishullit Minamitori, rreth 1.900 kilometra në juglindje të Tokios, gjatë muajve janar dhe shkurt, si pjesë e një projekti të Zyrës së Kabinetit të nisur në vitin fiskal 2018.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.