“Travel Noir”: Shqipëria kryeson parashikimet për destinacionet turistike në 2027-ën
– Shqipëria po fiton vëmendjen e industrisë britanike të udhëtimeve, si një nga destinacionet që mund të tërheqë më shumë turistë në vitin 2027, shkruan media online amerikane e specializuar në udhëtime dhe turizëm “Travel Noir”.
Vlerësimi vjen nga “Advantage Travel Partnership”, rrjeti më i madh në Britaninë e Madhe i bizneseve të pavarura të udhëtimit, i cili e ka veçuar Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas të dhënave dhe vlerësimit të “Advantage”, interesi për Shqipërinë lidhet veçanërisht me plazhet, kohën relativisht të shkurtër të fluturimit nga Britania e Madhe dhe kostot e pushimeve verore.
Shqipëria ofron një kombinim të bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, qyteteve historike, zonave malore dhe peizazheve natyrore, duke krijuar mundësi për pushime në plazh, udhëtime kulturore dhe eksplorim të natyrës.
Riviera Shqiptare, me destinacione si Saranda, Ksamil, Himara dhe Dhërmiu, është ndër zonat më të njohura për turizmin veror, ndërsa Alpet Shqiptare dhe zona të tilla si, Thethi dhe Valbona ofrojnë një alternativë për vizitorët e interesuar për ecje dhe natyrën.
Këtyre u shtohen qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra, si edhe destinacione të tjera kulturore e natyrore, duke bërë që Shqipëria të mos kufizohet vetëm te turizmi bregdetar.
“Advantage” nuk ka publikuar një përqindje rritjeje për Shqipërinë, ndaj përfshirja e saj pasqyron vlerësimin e kompanisë për potencialin e vendit në vitin 2027, dhe jo një rritje të raportuar të të ardhurave nga viti në vit.
Vlerësimi është pjesë e përditësimit të “Advantage” për ecurinë e sezonit veror 2026, i cili analizon rezervimet e bizneseve, që bëjnë pjesë në rrjetin e saj në Britani të Madhe.
Të dhënat japin një pasqyrë të tendencave brenda këtij rrjeti dhe nuk përbëjnë një renditje globale të destinacioneve me rritjen më të madhe.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se turistët po i kushtojnë më shumë vëmendje mënyrës se si shpenzojnë buxhetin e pushimeve.
Vlera mesatare e rezervimeve për udhëtime në distanca të shkurtra u rrit me 8% krahasuar me vitin 2025, ndërsa ajo e udhëtimeve në distanca të gjata u rrit me 5%. Edhe rezervimet për pushime familjare shënuan një rritje prej 5% gjatë verës.
Një pjesë e rëndësishme e rezervimeve vijoi të përqendrohej te paketat “all-inclusive”, të cilat përbënin 35% të rezervimeve verore të “Advantage”. Pas tyre renditeshin qëndrimet me fjetje dhe mëngjes, me 25%.
Sipas Julia Lo Bue-Said, CEO e “Advantage Travel Partnership”, turistët po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm në zgjedhjen e kohës dhe destinacionit të udhëtimit.
Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet, por turistët po shqyrtojnë më me kujdes kohën e udhëtimit, destinacionin, momentin e rezervimit dhe shpenzimet.
Në zgjedhjet e udhëtarëve për vitin 2027, pritet të ndikojnë edhe ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.
“Advantage” veçon “Ryder Cup” në Irlandë, Kupën e Botës FIFA për femra në Brazil dhe Kampionatin Botëror të Rugby për meshkuj në Australi, si disa prej aktiviteteve që mund të nxisin udhëtimet.
Në këtë listë përfshihet edhe eklipsi i plotë diellor, që do të jetë i dukshëm në disa pjesë të Afrikës së Veriut dhe Spanjës, një tjetër ngjarje që pritet të ndikojë në kërkesën për udhëtime gjatë vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, një tjetër sektor që ka shënuar rritje për “Advantage” janë turet e organizuara. Të ardhurat nga ky segment u rritën me 22% midis viteve 2025 dhe 2026, ndërsa vlera mesatare e rezervimit u rrit me 8%.
John Sullivan, drejtor komercial i “Advantage Travel Partnership”, tha se turizmi i organizuar ka qenë një nga segmentet me rritjen më të dukshme të kompanisë gjatë vitit 2026. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.