Zogaj: Lëvizja kërkon të rritet, diçka e re kur kryetari përfshihet në sfida
Në emisionin “Trialog” në RTSH, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, me fokus temën “Gara për Tiranën, Lëvizja ‘Bashkë’ hyn veç”, analisti Preç Zogaj komentoi vendimin e kryetarit të Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Zogaj e cilësoi këtë hapi si vijimësi të natyrshme politike dhe një strategji të njohur në skenën politike evropiane, ku drejtuesit e lëvizjeve të reja marrin përsipër beteja të drejtpërdrejta elektorale për të zgjeruar bazën e tyre mbështetëse.
“Kam pasur rastin tim edhe në panele të mëparshme me zotin Qori kur u vendos që të kishte zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Dhe zoti Qori ishte kandidat, kështu që e gjej logjike atë që ky nuk është se po kandidon sot, ky është kandidat, por ka bërë një pauzë duke pritur që të afrohet fushata. Por përtej kësaj, duke qenë se zoti Qori është i pari kryetar partie që kandidon vetë për kryetar bashkie, mendoj se kjo është një gjë e re që ka të bëjë në fakt me një parti që kërkon të rritet,” deklaroi Zogaj.
Gjatë analizës së tij, analisti hoqi një paralelizëm me forcat politike jashtë vendit, duke sjellë si shembull organizimin dhe rrugëtimin e modelit italian të “Lëvizjes Pesë Yje”.
“Nuk është raporti i thjeshtë i kryetarit, është raporti i lëvizjes. Kjo është lëvizje. Lëvizja kërkon të rritet. Ka qenë Lëvizja e Pesë Yjeve (MoVimento 5 Stelle) që më vonë u bë edhe parti qeveritare dhe sot është përsëri një nga partitë e rëndësishme të opozitës në Itali. Por kryetari i saj, për shembull, përfshihet në beteja të kësaj natyre, duke vënë interesin e Lëvizjes Pesë Yje mbi ato interesat e një karriere të tij,” nënvizoi ai.
Duke u ndalur te filozofia politike dhe diskutimi mbi natyrën e pushtetit, Zogaj solli në vëmendje edhe një citat të njohur të ish-presidentit çek dhe mendimtarit Václav Havel.
“Po më kujtua një thënie e Václav Havel-it pikërisht për këtë çështje që dëshiroj ta citoj. Ai thoshte që politika ka shumë njerëz që e akuzojnë atë sikur është një gjë e pisët. Në fakt ai thotë: politika nuk është e pisët në vetvete, është e pisët për ata që duan ta bëjnë pis atë,” përfundoi analisti Preç Zogaj gjatë emisionit.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.