SHBA – Trump: Të ardhurat nga nafta e Venezuelës do të arrijnë shumë shpejt në qindra miliarda dollarë
– Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përfitojnë miliarda dollarë nga nafta e Venezuelës dhe se të ardhurat pritet të arrijnë në qindra miliarda dollarë në një të ardhme të afërt, sipas “Washington Post”.
Gjatë ceremonisë për Ditën e Veteranëve, të mbajtur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, Trump foli për ndërhyrjen amerikane në Venezuelë dhe për përfitimet ekonomike që, sipas tij, po sjell kontrolli mbi burimet energjetike të vendit latino-amerikan.
“Në rastin tonë, kishim Venezuelën, nga e cila po nxjerrim miliarda e miliarda dollarë naftë dhe gjëra të tjera. Shumë shpejt do të bëhen qindra miliarda dollarë. Askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë dhe ne e kemi mbuluar shumë herë koston e luftës”, deklaroi Trump.
Ai përdori gjithashtu një shprehje të njohur për të justifikuar përfitimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga operacioni në Venezuelë.
“Plaçka i takon fitimtarit, siç thuhej dikur, por mund ta themi sërish nën këtë udhëheqje”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump shtoi se nga Venezuela po nxirren miliona fuçi naftë çdo javë, duke gjeneruar të ardhura prej miliarda dollarësh.
Ai pretendoi gjithashtu se Kina dhe Rusia janë larguar nga Venezuela pas kërkesës së Uashingtonit.
“Ata po përpiqeshin të merrnin pjesën e tyre. U thamë të largoheshin dhe u larguan, por ne qëndruam”, deklaroi Trump, duke iu referuar ndikimit të dy vendeve në sektorin energjetik venezuelian.
Presidenti amerikan e krahasoi ndërhyrjen në Venezuelë, me luftërat e mëparshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kore, Vietnam, Irak dhe Afganistan, duke argumentuar se këto konflikte u kushtuan amerikanëve jetë njerëzish dhe shuma të mëdha parash, pa sjellë përfitime të krahasueshme për vendin.
Në kontrast me to, ai e paraqiti operacionin në Venezuelë si një ndërhyrje që, sipas tij, ka sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për SHBA-në.
Administrata Trump ka njoftuar më herët një marrëveshje për shfrytëzimin e rezervave të naftës venezueliane, përmes së cilës kompanitë amerikane, do të kenë rol të rëndësishëm në zhvillimin e 17 fushave naftëmbajtëse.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja parashikon përfshirjen e rezervave prej rreth 65 miliardë fuçish naftë dhe investime private deri në 100 miliardë dollarë, për rindërtimin e infrastrukturës energjetike të Venezuelës.
Megjithatë, shifrat e përmendura nga Trump për qindra miliarda dollarë të ardhura kanë ngritur pikëpyetje.
Një verifikim i mëparshëm i “PolitiFact”, i publikuar në gusht 2026, vlerësonte se të ardhurat e besueshme nga nafta venezueliane, që prej marrjes së kontrollit amerikan, arrinin në rreth 13 miliardë dollarë, shumë më pak se pretendimi i presidentit.
Ndërkohë, administrata amerikane ka deklaruar se të ardhurat nga shitja e naftës, mbahen në llogari të kontrolluara nga SHBA-ja dhe duhet të përdoren në interes të popullit amerikan dhe atij venezuelian.
Deklarata e Trump vjen pas operacionit amerikan të janarit 2026, gjatë të cilit u kap presidenti venezuelian Nicolás Maduro, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.