Rajoni

Turqia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme

Parlamenti turk votoi të hënën për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj të tjerë, pothuajse një vit pasi nisi zbatimi i saj për shkak të një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti.

Përpara këtij vendimi, kryeministri Binali Yildirim nëpërmjet një deklarate të publikuar nga zyra e tij i kërkonte parlamentit të zgjaste gjendjen e jashtëzakonshme që pritej të skadonte të mërkurën.

Rreth 250 vetë u vranë dhe më shumë se 2000 të tjerë u plagosën vitin e kaluar kur një grup ushtarakësh të armatosur dhe të pakënaqur, me tanke dhe avionë luftarakë tentuan të rrëzojnë presidentin Rexhep Tajip Erdogan pas 15 vitesh në pushtet. Gjatë përpjekjes për grusht shteti tridhjetë e pesë organizatorë të tij, u vranë.

Që nga grushti i vitit të kaluar kur shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, qeveria turke ka larguar nga detyra të paktën 100 mijë punonjës të shërbimit civil, të akuzuar si mbështetës të grushtit të dështuar të shtetit. Rreth 50 mijë persona të tjerë janë arrestuar.

Presidenti Erdogan pretendon se grushti i shtetit u drejtua nga kleriku Fethullah Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara prej gati dy dekadash. Por zoti Gulen ka mohuar të jetë përfshirë në këtë ngjarje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button