“Ulim pragun e TVSH-së në 5 mln lekë”, Rama për buxhetin: Biznesi i vogël pa tatim mbi fitimin deri në 2029
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se pragu i regjistrimit për TVSH-në, nga 10 milionë lekë që është aktualisht do të ulet në 5 milionë lekë, ndërsa biznesi i vogël do të vijojë të paguajë zero tatim mbi fitimin deri në vitin 2029. Rama tha se ulja e pragut synon të pengojë bizneset e mëdha të shmangin detyrimet duke u paraqitur si biznese të vogla. Ai ironizoi edhe opozitën, duke i thënë se “ faturën do ta keni të kripur” në zgjedhjet e 9 majit.
“Sot ekonomia e rritur na jep mundësinë që 32 mijë tatimpaguesve që i përkasin shtresës së mesme t’ua ngremë pragun e sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Dhe t’u japim mundësinë të ndihen më mirë në vendin e tyre dhe që kjo shtresë të vazhdojë të zgjerohet duke pasur një barrë fiskale më të ulët.
Për pjesën e pagës mbi 700 mijë lekë, shkojmë në normën e taksimit 30%, që është kombinimi i të dyjave, i 15% të fitimit të kompanisë me 15% të dividendit, në mënyrë që, duke forcuar progresivitetin e sistemit, të mbyllim shtigje të evazionit fiskal dhe të mos lejojmë ata që janë pronarë kompanish të shfaqen si rrogëtarë apo si biznese të vogla.
Ruajmë zotimin tonë të tatimit zero mbi fitimin e biznesit të vogël. Deri në 2029 nuk do ta tatojmë biznesin e vogël. Për të forcuar formalizimin, për të mos lejuar që biznesi i vogël rëndom të përdoret si një shteg për të mëdhenjtë që të shmangin detyrimet, ne do ta ulim pragun e regjistrimit për TVSH-në 5 milionë lekë. Dhe kush e konsideron taksë mbi biznesin e vogël, duhet të rishikojë formimin e vet dhe ta kuptojë mirë. Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se kur të vijë dita e hesapit, do ta keni të kripur. Kështu ka ndodhur në çdo zgjedhje dhe kështu do të ndodhë më 9 maj”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.