Ursula von der Leyen në Tiranë, pritet me ceremoni zyrtare nga Rama
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është pritur në një ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë në mesditë, në kuadër të vizitës së saj në Tiranë.
Von der Leyen mbërriti në Kryeministri, ku u prit nga kreu i qeverisë shqiptare ndërsa vizita e saj në Tiranë është pjesë e një turi në katër shtete të Ballkanit. Në qendër të takimeve pritet të jetë ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Ursula von der Leyen pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj.
Presidentja e Komisionit Europian vjen në Shqipëri edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, që synon t’i ndihmojë këto vende në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave.
Në fokus pritet të jenë edhe datat e 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetori, kur liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.