Bypass-i i Tiranës, përfundon mbi 50% e punimeve në 10 km e parë, financimi tjetër në 2027
Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës kanë kaluar nivelin 50% në dy lotet e para, me gjatësi totale 10 kilometra, ndërsa financimi për 11 kilometrat e mbetur pritet të miratohet brenda tremujorit të parë të vitit 2027.
Projekti, me gjatësi të përgjithshme 21 kilometra, do të lidhë autostradën Tiranë–Durrës me autostradën Tiranë–Elbasan, duke krijuar një rrugë alternative që shmang kalimin përmes kryeqytetit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një inspektimi në kantier me Kryeministrin Edi Rama dhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri të ditur se punimet në dy lotet e kontraktuara nga ARRSH kanë kaluar gjysmën e volumit të parashikuar.
“Është një segment shumë i rëndësishëm se bën ndërlidhjen ndërmjet autostradës Durrës – Tiranë me autostradën Tiranë – Elbasan. Lidhemi nga nyja e Kasharit dhe dalim në TEG duke anashkaluar hyrjen në Tiranë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, 11 kilometrat e mbetur do të financohen përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Për këtë segment është siguruar edhe një grant që mbulon 40% të financimit, me vlerë rreth 53 milionë euro, nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
“Ne presim që brenda tre mujorit të parë 2027 të miratojmë marrëveshjen e financimit me BERZH për të filluar edhe në segmentin e mbetur 11 kilometërshi, vijimin e punimeve”, deklaroi Karakaçi.
Bypass-i i Tiranës është pjesë e ndërlidhjes së akseve të Korridorit Blu, duke përfshirë segmentin Thumanë–Kashar dhe projektin Kashar–Lekaj.
Ministri njoftoi gjithashtu se ndërtimi i aksit Kashar–Rrogozhinë pritet të nisë brenda fundit të vitit 2026. Sipas tij, shpronësimet e para për këtë koncesion parashikohet të kryhen gjatë nëntorit.
“Brenda muajit nëntor unë parashikoj shpronësimet e para të koncesionit Kashar-Rogozhinë dhe brenda fundit të vitit fillojnë dhe punimet për këtë aks të rëndësishëm që ndërlidh pastaj të gjithë korridorin blu”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama u ndal te ndikimi i projektit në qarkullimin e automjeteve dhe në vlerën e pronave përgjatë aksit.
“Ajo që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh në këtë zonë, është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre, ndërkohë që pa diskutim çdo shpronësim do të bëhet ashtu si duhet, me transparencë sipas ligjit”, deklaroi Rama.
Sipas Kryeministrit, përfundimi i rrugës do të mundësojë që një pjesë e automjeteve që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes të shmangin hyrjen në Tiranë, duke reduktuar ngarkesën e trafikut në kryeqytet.
Projekti synon të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të përmirësojë lidhjen mes akseve kryesore rrugore të vendit. Në njoftimin e qeverisë nuk jepet një afat për përfundimin e të gjithë Bypass-it prej 21 kilometrash.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.