Vijon operacioni “Shkolla të pastra” në Shkodër, arrestohet 25-vjeçari me doza kokaine dhe kanabisi
Vijon në Shkodër operacioni i koduar “Shkolla të pastra”, në kuadër të të cilit u godit një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike në doza, siç njofton Policia e Shtetit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 25 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në doza.
Sipas njoftimit, 25-vjeçari u kap në afërsi të perimetrit të sigurisë dhe ambienteve të ndryshme në qytetin e Shkodrës, ku dyshohet se qëndronte me qëllim shitjen e dozave të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi dhjetëra doza kokaine dhe Cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.