KOMENT – Stuhitë pengojnë festimet e Ditës së Falënderimeve në të gjithë SHBA-në
Rreth 280 mijë abonentë në të gjithë vendin mbetën pa energji elektrike në orët e para të mëngjesit, kryesisht për shkak të dëmtimit të linjave elektrike, sipas faqes së internetit “PowerOutage.us”.
Shtetet më të prekura ishin Misuri, ku ranë reshje të dendura dëbore, si dhe shtetet lindore Virxhinia dhe Karolina e Veriut.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, paralajmërime për kushte të rrezikshme atmosferike ose njoftime për stuhi të forta ishin në fuqi për rreth 80 milionë banorë.
Dallgë të mëdha ishin krijuar një ditë më parë në brigjet perëndimore, pranë San Franciskos, duke përmbytur shumë zona.
Në Nju Jork, parada e famshme e Ditës së Falënderimeve e organizuar nga Macy’s u shty për herë të parë për shkak të paralajmërimeve për stuhi të forta, ndërsa në disa pjesë të shtetit të Nju Jorkut dhe në të gjithë Nju Xhersin u shpall gjendje e jashtëzakonshme si masë paraprake.
Dita e Falënderimeve, një nga festat më të rëndësishme në SHBA
Dita e Falënderimeve është një nga festat kombëtare më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Gjeli i detit i pjekur dhe salca me boronicë të kuqe, si dhe pureja e patateve të ëmbla e mbuluar me karamele të shkrirë, janë ndër gatimet që shërbehen tradicionalisht në këtë festë.
Miliona njerëz udhëtojnë për të takuar familjarët e tyre, duke shkaktuar trafik të rënduar.
Shumë udhëtarë që përdorin transportin ajror u përballën me vonesa. Sipas të dhënave të faqes së monitorimit të fluturimeve “FlightAware” dhe televizionit CNN, rreth 450 fluturime janë anuluar në të gjithë vendin që nga e mërkura, ndërsa më shumë se 6 mijë të tjera kanë pësuar vonesa. Në shumë zona janë mbyllur gjithashtu rrugë.
Përmbyten zonat bregdetare
Infrastruktura është dëmtuar, ndërsa dallgë disa metra të larta kanë kapërcyer barrierat mbrojtëse detare dhe kanë përmbytur shumë zona bregdetare.
Në qytetin bregdetar të Pacificës, pranë San Françiskos, një pjesë e një moli prej druri, i cili ishte mbyllur për shkak të gjendjes së amortizuar, u shemb dhe përfundoi në Oqeanin Paqësor.
Personave që kishin planifikuar të qëndronin përgjatë bregdetit iu kërkua të mbanin një distancë të sigurt nga zonat e përmbytura. Shumë plazhe u mbyllën, ndërsa shëtitorja buzë ujit në San Francisko, e frekuentuar nga turistët, u mbyll përkohësisht për shkak të përmbytjeve.
Nivelet jashtëzakonisht të larta të baticës e përkeqësuan më tej situatën. Kryetari i bashkisë së San Françiskos, Daniel Lurie, u ofroi banorëve thasë me rërë për t’u mbrojtur nga përmbytjet dhe u bëri thirrje të shmangnin udhëtimet e panevojshme.
Nju Xhersi shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Paralajmërime për stuhi dhe reshje të dendura shiu ishin në fuqi edhe në bregun lindor.
Guvernatorja e Nju Xhersit, Mikie Sherrill, u bëri thirrje banorëve që, nëse ishte e mundur, të udhëtonin një ditë përpara Ditës së Falënderimeve, pasi stuhitë mund të ishin më të fuqishme gjatë festës. Ajo tha se priste mbyllje të shumta rrugësh dhe devijime të trafikut.
Sherrill shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë Nju Xhersin për shkak të motit të stuhishëm, duke mundësuar mobilizimin më të shpejtë të ndihmës nëse do të ishte e nevojshme.
Edhe banorëve të kryeqytetit amerikan, Uashington, iu kërkua përmes një njoftimi të tregoheshin të kujdesshëm në disa zona të shëtitores buzë lumit Potomak.
Parada e Nju Jorkut shtyhet për të shtunën
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, paralajmëroi banorët për rrezikun e përmbytjeve në zonat bregdetare. Stuhia që po godiste qytetin pritej të arrinte kulmin nga pasditja deri në orët e vona të mbrëmjes së Ditës së Falënderimeve, shkroi ai në platformën X.
Ai paralajmëroi drejtuesit e automjeteve që të mos kalonin në rrugët e përmbytura. Erërat e forta mund të rrëzonin degë pemësh dhe linja elektrike.
Shumë njerëz kishin planifikuar të ndiqnin paradën vjetore të Macy’s për Ditën e Falënderimeve, ku marrin pjesë balona gjigante, por ajo u shty për të shtunën si masë paraprake.
Balonat, të cilat ishin fryrë me kujdes paraprakisht, u desh të shfryheshin sërish, për zhgënjimin e shumë spektatorëve, raportuan mediat lokale.
Sipas rregullores së paradës, balonat nuk mund të ngrihen në ajër nëse shpejtësia e erës tejkalon 55 kilometra në orë. Për sot parashikoheshin erëra me intensitet të lartë me fuqi që arrijnë nga 80 deri në 97 kilometra në orë, bënë të ditur shërbimit emergjencave.
Figurat gjigante të paradës, të mbushura me helium, zakonisht qëndrojnë pezull mbi procesion, të drejtuara nga shumë vullnetarë që i mbajnë me litarë. Parada përfshin gjithashtu platforma të dekoruara me kujdes, banda muzikore marshimi, grupe vallëzimi dhe personazhe me kostume.
Parada e Ditës së Falënderimeve e “Macy’s” u krijua nga rrjeti i dyqaneve amerikane “Macy’s”, i cili e organizoi për herë të parë në vitin 1924. Fillimisht ajo quhej Parada e Krishtlindjeve e “Macy’s” dhe kishte për qëllim të shënonte fillimin e sezonit të blerjeve për Krishtlindje.
Balonat gjigante karakteristike të paradës u prezantuan në vitin 1927, duke zëvendësuar kafshët e gjalla që kishin qenë pjesë e saj deri atëherë.
Anulohet parada në Filadelfia
Parada e njohur e Ditës së Falënderimeve në Filadelfia, e konsideruar si më e vjetra në Shtetet e Bashkuara, u anulua plotësisht.
Organizatorët e aktivitetit, i cili zhvillohet që nga viti 1920, deklaruan se siguria e spektatorëve dhe pjesëmarrësve ishte përparësia kryesore.
Edhe në Filadelfia, rreth 130 kilometra në jugperëndim të Nju Jorkut, balona gjigante duhej të parakalojnë nëpër rrugët e qytetit përpara qindra mijëra spektatorëve të enjten.
Në vend të paradës, do të transmetohej një program alternativ televiziv me artistët dhe të ftuarit që ishin parashikuar të merrnin pjesë, njoftoi televizioni 6abc, organizator i aktivitetit. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.