VILNIUS – Lituania teston sistemin ukrainas “Sky Fortress” për zbulimin e dronëve
VILNIUS, 2 tetor /ATSH-DPA/- Lituania po teston një sistem mbikëqyrjeje të hapësirës ajrore, të ndërtuar në Ukrainë, i cili synon të ndihmojë në zbulimin e kërcënimeve nga dronët, bëri të ditur sot ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas.
“Kërcënimet nga ajri po ndryshojnë me shpejtësi, ndaj edhe ne po përshtatim zgjidhjet tona. Në vend që të zhvillojmë gjithçka nga fillimi, po përshtatim sisteme që tashmë përdoren në Ukrainë”, tha Kaunas në një deklaratë.
Ukraina, e cila ndodhet në vitin e pestë të luftës së saj kundër pushtimit të plotë rus, konsiderohet një nga vendet më të avancuara në botë në përdorimin e dronëve në luftë.
Sipas autoriteteve lituaneze, sistemi “Sky Fortress” përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar dhe ndjekur dronët që fluturojnë në lartësi të ulët, si edhe raketat kruz.
Sistemi i identifikon objektet bazuar në shenjat e tyre akustike ose elektromagnetike, në tingujt dhe sinjalet që ato lëshojnë.
Ministria e Mbrojtjes tha se sistemi mund të përcaktojë në kohë reale, se çfarë lloj objekti është zbuluar.
Gjatë luftës në Ukrainë, në Lituani dhe në dy vendet e tjera baltike, Estoni dhe Letoni, kanë ndodhur disa incidente me dronë.
Në disa raste, dronë ukrainas që kishin humbur drejtimin, të nisur nga Kievi për të goditur objektiva në veriperëndim të Rusisë, kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike dhe janë rrëzuar.
Në hapësirën ajrore të Lituanisë, kanë hyrë gjithashtu edhe dronë me origjinë ruse, të cilët kanë ardhur nga territori i Bjellorusisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.