FOKUS – G7-ta vendos të përdorë rezervat strategjike të naftës mes rritjes së çmimeve
PARIS, 2 tetor /ATSH-DPA/- Liderët e vendeve të G7-ës kanë rënë dakord të bashkërendojnë për nxjerrjen e naftës nga rezervat e emergjencës, në një përpjekje për të frenuar rritjen e madhe të çmimeve të karburanteve.
Sipas një deklarate të përbashkët të publikuar sot, vendet e G7-ës do të bëjnë të disponueshme deri në 100 milionë fuçi naftë bruto gjatë katër muajve, duke filluar menjëherë.
Kjo masë u vendos fillimisht në mars, por G7-ta vendosi ta zbatojë tani.
Përpara këtij vendimi, liderët e vendeve të G7-ës zhvilluan një videokonferencë, ku mori pjesë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.
G7-ta njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) për mundësinë e nxjerrjes së sasive të tjera të naftës (diesel) nga rezervat.
Sipas deklaratës, tregjet e naftës po përjetojnë luhatje të jashtëzakonshme të çmimeve, ndërsa çështja është bërë veçanërisht e rëndësishme, për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve në mbarë botën, sidomos të naftës.
Vendimi përfundimtar për përdorimin e rezervave strategjike të naftës, i takon IEA-së dhe 32 vendeve anëtare të saj.
IEA-ja nxorri për herë të fundit naftë nga rezervat në mars, kur vuri në dispozicion një sasi rekord prej 400 milionë fuçish naftë bruto, në përgjigje të luftës së Iranit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent tha dje se Evropa duhet të vërë menjëherë në dispozicion furnizime shtesë me naftë, me qëllim uljen e çmimeve.
G7-ta përbëhet nga Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Japonia, Italia dhe Kanadaja. Franca mban aktualisht presidencën e grupit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.