Vokshi kërkon opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale
Deputetja demokrate Albana Vokshi i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës t’i drejtohet për opinion Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet e propozuara nga qeveria shqiptare për Kodin e Procedurës Penale, para se ato të miratohen me forcën e kartonit të mazhorancës në parlament.
Në fjalën e saj në Asamble, përfaqësuesja e Partisë Demokratike ngriti si shqetësim se, përmes ndryshimeve, Kryeministri Rama po rishkruan rregulla për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga hetimi dhe llogaridhënia, duke cenuar hapur themelet e sistemit të drejtësisë dhe, më konkretisht, të gjyqësorit.
Pikërisht në momentin kur hetimet arrijnë në rrethin e ngushtë të Kryeministrit, me çështje që përfshijnë ish‑zëvendëskryeministren Balluku, AKSHI‑n, ish‑kreun e shërbimit të inteligjencës Hyseni dhe zyrtarë të tjerë të lartë — Kryeministri paraqet ndryshime shqetësuese në Kodin e Procedurës Penale: fillimisht propozoi amendime në nenin 242, për të krijuar “superimunitetin” për veten e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë pranë tij, dhe tani duke propozuar ndryshime në 106 nene të Kodit të Procedurës Penale, bën që ky draft të rrezikojë themelet e reformës në drejtësi me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë nga drejtësia.
Vokshi paralajmëroi se ndryshimet janë një mekanizëm strikt politik për të mbrojtur vetë Kryeministrin dhe zyrtarët e lartë nga hetimet aktuale, sikundër edhe nga ato të ardhshme.
Sipas saj, në një vend ku fjala skandal ka humbur peshën pasi ato nga qeveria janë të përditshme, vjen një propozim ku përjashtohen nga masat e arrestit veprat penale që parashikojnë një dënim deri në pesë vjet.
“Pra, nëse vjedh, abuzon me prokurimet publike, shpërdoron detyrën apo postin, ose përfshihesh në shkelje apo krime zgjedhore, nuk kryen asnjë ditë burg”, theksoi Vokshi.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.