“Washington Post”: Humbja e nuhatjes mund të sinjalizojë probleme me kujtesën në të ardhmen
– Të ndalesh për të nuhatur aromën e trëndafilave nuk është vetëm një këshillë e mirë për jetën. Sipas studimeve shkencore, kjo mund të jetë edhe një mënyrë për të mbështetur shëndetin e trurit, sipas “Washington Post”.
Ekspertët besojnë se humbja e nuhatjes mund të shërbejë si një tregues i hershëm i rënies së funksioneve të trurit, duke sinjalizuar probleme të aftësive njohëse, vite përpara se të shfaqen simptomat e dukshme të sëmundjeve si Alzheimeri ose Parkinsoni.
Për këtë arsye, studiuesit po punojnë që testet e nuhatjes të bëhen pjesë më e zakonshme e kontrollit shëndetësor, me synimin për të përshpejtuar diagnostikimin e hershëm.
“Kur dikush ka një nuhatje shumë të dobët, kjo mund të jetë një sinjal paralajmërues, se në të ardhmen mund të shfaqen probleme me kujtesën ose funksionet njohëse”, shpjegon David E. Vance, psikolog dhe profesor në Universitetin e Alabamës në Birmingham (UAB).
Për më tepër, disa studime paraprake sugjerojnë se stërvitja e nuhatjes – ekspozimi i përsëritur ndaj aromave të ndryshme – mund të përmirësojë jo vetëm aftësinë për të nuhatur, por edhe funksionet njohëse të trurit, madje edhe te njerëzit që kanë nuhatje normale.
Studiuesit kanë vërejtur shenja të rritjes së neuroplasticitetit, aftësisë së trurit për t’u riorganizuar dhe për të krijuar lidhje të reja nervore.
Megjithatë, nevojiten studime të tjera për të kuptuar saktësisht se si përmirësimi i nuhatjes ndikon në përmirësimin e kujtesës dhe proceseve të të menduarit.
Studimi bazohet në një rishikim sistematik të 18 hulumtimeve, të udhëhequr nga David E. Vance dhe kolegët e tij nga Universiteti i Alabamës në Birmingham, SHBA, në bashkëpunim me studiues nga institucione të tjera amerikane, përfshirë Universiteti Johns Hopkins.
Studimi u botua në revistën shkencore “Neuropsychology Review”.
Gjithashtu, studimet e udhëhequra nga Instituti Kombëtar për Plakjen (NIA),në SHBA kanë zbuluar se personat me nuhatje më të mirë, kanë një ngadalësim të humbjes së vëllimit të trurit dhe një rënie më të ngadaltë të kujtesës, vëmendjes dhe shpejtësisë së përpunimit të informacionit.
Në të kundërt, përkeqësimi i nuhatjes lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e dëmtimit të lehtë njohës dhe demencës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.