Rajoni

Zaev-Hahn: Takimi me Tsiprasin, i rëndësishëm për vendin dhe rajonin

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka realizuar në Davos një takim me komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Johannes Hahn.

Kryeministri Zaev, thuhet në një njoftim të kabinetit të tij, informoi komisionerin Hahn për takimin me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, duke shpalosur detaje nga takimi i realizuar, për të cilin ka thënë se në masë të madhe afron procesin e negociatave mes dy vendeve lidhur me problemin që Greqia ka me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë.

“Ky takim i rëndësishëm, takimi me kryeministrin Tsipras, është i një rëndësie të veçantë edhe në aspektin e lëvizjes nga vendi të proceseve eurointegruese të Republikës së Maqedonisë, dhe njëkohësisht i bën shumë më reale pritjet se viti 2018 mund të jetë një vit historik për Maqedoninë, por edhe për rajonin në tërësi”, ka thënë Zaev.

Komisioneri Hahn, nga ana e tij, i ka përcjellë kryeministrit Zaev pikëpamjet e tij mbi takimin me Tsiprasin, që i kishte ndarë edhe në rrjetet sociale menjëherë pas takimit, duke shtuar se është një lajm i mirë i cili flet për guximin dhe vizionin se zgjidhja e kontestit shumëvjeçar do të jetë në favor të të dyja shteteve, rajonit dhe Evropës.

Zaev ka thënë se takimi i tij me kryeministrin e Greqisë është i rëndësishëm edhe në aspektin e inkurajimit për zbatimin e reformave të qëndrueshme në Republikën e Maqedonisë, që konfirmojnë sipas tij se vendi po mbyll çështjet e hapura që ka me fqinjët.

Kujtojmë se kryeministri i Maqedonisë dhe i Greqisë u takuan të mërkrëun në Davos të Zvicrës në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror. Takimi mes dy vendeve fqinje ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë midis kryeministrave, që kur u ndryshua qeveria në Maqedoni.

Pas takimit, kryeministri maqedonas deklaroi se është koha e duhur për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen mbi çështjen e emrit, ndërsa kryeministri grek deklaroi se për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së pari është e nevojshme të mbyllet çështja e emrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button