MaqedoniaRajoni

Zaev: Republika e Maqedonisë së Veriut është zgjidhja e arritur

“Angazhimi ynë në kompromis është përkufizimi i emrit të saktë maqedonas për shtetin tonë, emër i cili është dinjitoz dhe i saktë në aspektin gjeografik, Republika e Maqedonisë së Veriut, i përkthyer në të gjitha gjuhët.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, mbajti një konferencë për media ku informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është zgjidhja e arritur rreth kontestit të emrit me Greqinë.

Në adresimin e tij në Qeverinë e Maqedonisë, në prani të të gjithë ministrave të qeverisë, Zaev tha se janë përcaktuar për të ardhmen prandaj kanë sukses dhe sot janë këtu. Zaev tha se ka zgjidhje historike, zgjidhje shekullore. Ai tha se me zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ndërtohet miqësi mes dy vendeve dhe dy popujve, e cila asnjëherë nuk ka qenë më e madhe.

“Angazhimi ynë në kompromis është përkufizimi i emrit të saktë maqedonas për shtetin tonë, emër i cili është dinjitoz dhe i saktë në aspektin gjeografik, Republika e Maqedonisë së Veriut, i përkthyer në të gjitha gjuhët. Emër i paraparë për përdorim të përgjithshëm ndërsa do të saktësohet me amendament në Kushtetutë”, tha Zaev.

Zaev potencoi se marrëveshja është konfirmim për gjuhën maqedonase në Kombet e Bashkuara. Gjuha do të jetë maqedonase/macedonian pa fusnota, kombësia është maqedonase gjegjësisht qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ose në anglisht (Macedonian/citizens of the Republic of North Macedonia).

Me këtë marrëveshje, theksoi Zaev, do të vërtetohet dhe përforcohet identiteti etnik dhe kulturor maqedonas ndërsa fitohet edhe garanci për siguri, stabilitet dhe të ardhme prosperuese.

Kryeministri Zaev tha se marrëveshja do të prezantohet para të gjitha subjekteve politike relevante në shtet, e nënshkruar nga përfaqësuesit e të dyja qeverive, pas së cilës pason ratifikimi në Kuvend.

Menjëherë pas ratifikimit, siç tha Zaev, Republika e Greqisë do të dërgojë letër deri tek Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s me të cilën do ta njoftojë se mes dy shteteve tashmë nuk ka kontest dhe se nuk ekzistojnë pengesa që Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim në NATO.

Është paraparë që Greqia t’i dërgojë letër edhe kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilën do ta njoftojë se më nuk ka pengesa dhe rekomandohet të marrim datë për fillimin e negociatave për anëtarësim, tha ai.

“Besojmë fuqishëm se Këshilli Evropian më 28 qershor do të sjellë vendim për fillimin e negociatave me Maqedoninë. Besojmë fuqishëm se në samitin e NATO-s më 12 korrik në Bruksel, Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim të plotfuqishëm si anëtarja e 30-të e Aleancës”, tha Zaev.

Ai theksoi se ky është vendim i vërtetë, ndërsa vota e qytetarëve është përfundimtare. “Në vjeshtë qytetarët duhet të prononcohen në referendum, neve, na mbetet të shkruajmë një faqe të re në historinë e vendit tonë”, tha Zaev.

“Pasi qytetarët tanë ta konfirmojnë këtë marrëveshje historike, Greqia nga fundi i vitit do ta ratifikojë në Kuvend, si edhe protokollin e anëtarësisë tonë në NATO”, shtoi Zaev.

Në fund, kryeministri Zaev u bëri thirrje presidentit të shtetit, opozitës dhe të gjitha subjekteve politike në vend, në unitet rreth prioriteteve të larta shtetërore dhe kombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button