☁️
Tiranë 14°C · Vranët 24 Shtator 2026
S&P 500 7,704 ▼0.02%
DOW 51,350 ▼0.31%
NASDAQ 26,939 ▲0.01%
NAFTA 95.22 ▲3.32%
ARI 4,307 ▼0.26%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1398 EUR/GBP 0.8595 EUR/CHF 0.9392 EUR/ALL 91.4617 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4034 EUR/TRY 55.6772 EUR/JPY 180.21 EUR/CAD 1.6056 EUR/USD 1.1398 EUR/GBP 0.8595 EUR/CHF 0.9392 EUR/ALL 91.4617 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4034 EUR/TRY 55.6772 EUR/JPY 180.21 EUR/CAD 1.6056
₿ CRYPTO
BTC $84,250 ▼ -0.13% ETH $2,687 ▲ +0.49% XRP $1.5283 ▲ +2.46% SOL $116.8600 ▲ +2.14%
S&P 500 7,704 ▼0.02 % DOW 51,350 ▼0.31 % NASDAQ 26,939 ▲0.01 % NAFTA 95.22 ▲3.32 % ARI 4,307 ▼0.26 % S&P 500 7,704 ▼0.02 % DOW 51,350 ▼0.31 % NASDAQ 26,939 ▲0.01 % NAFTA 95.22 ▲3.32 % ARI 4,307 ▼0.26 %
EUR/USD 1.1398 EUR/GBP 0.8595 EUR/CHF 0.9392 EUR/ALL 91.4617 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4034 EUR/TRY 55.6772 EUR/JPY 180.21 EUR/CAD 1.6056 EUR/USD 1.1398 EUR/GBP 0.8595 EUR/CHF 0.9392 EUR/ALL 91.4617 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4034 EUR/TRY 55.6772 EUR/JPY 180.21 EUR/CAD 1.6056
24 Sht 2026
Breaking
Arte

“Zëra të fuqishëm”, hapet në Tiranë ekspozita fotografike për gratë e Ballkanit

Ekspozita sjell portrete intime të nëntë grave nga vende të ndryshme të Ballkanit, duke dokumentuar jetën e tyre të përditshme, punën, pasionet dhe përvojat në qytete si Tirana, Beogradi, Sarajeva dhe Banja Luka.

Përmes fotografive dhe rrëfimeve personale, projekti synon të shkojë përtej imazheve të thjeshtëzuara dhe stereotipeve për gratë e Ballkanit, duke vënë në fokus historitë e tyre të forcës, krenarisë, sfidave dhe gëzimeve të përditshme.

Në Tiranë, ekspozita prezanton fotografitë e fotoreporterit të AFP-së, Adnan Beci, i cili ka realizuar portretet e Blerina Vrenozit, Elida Zhulatit dhe Luna Caushollit.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherinë Suard, si dhe të ftuar nga arti, kultura dhe media, fotoreporteri Beci falënderoi të pranishmit dhe vajzat që u bënë pjesë e projektit, duke theksuar se realizimi i ekspozitës ka qenë një punë e madhe dhe një proces i rëndësishëm.

Blerina Vrenozi, specialiste e merimangave, studiuese dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, ndau përvojën e saj si grua në shkencë dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë rrugëtimit profesional.

Ajo theksoi se sfidat kanë qenë të shumta, jo vetëm për të avancuar në fushën e shkencës, por edhe për shkak të paragjykimeve gjinore në shoqëri.

“Mesazhi im sot është se me punë të palodhur, vullnet të fortë dhe guximin për të mos u dorëzuar kurrë, gjithçka është e mundur”, u shpreh Vrenozi.

Ajo tregoi gjithashtu për punën e saj kërkimore, veçanërisht studimet mbi merimangat dhe fluturat, duke e lidhur përvojën personale me rëndësinë e këmbënguljes dhe të mundësive për gratë në shkencë.

Pjesë e ekspozitës është edhe Elida Zhulati, nga Gjirokastra, e cila ruan mjeshtërinë e qëndisjes tradicionale. Ajo foli për lidhjen me profesionin, qytetin dhe traditën, duke theksuar se, pavarësisht kohëve të vështira, ka vijuar ta ruajë këtë trashëgimi.

Ndërsa këngëtarja dhe kantautorja e re Luna Causholli shprehu mirënjohjen për familjen dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit, të cilin e cilësoi si një përvojë të veçantë për vajzat dhe gratë.

Ekspozita është konceptuar si një mundësi për të dëgjuar zërat e grave të Ballkanit dhe për të parë përtej stereotipeve që shpesh i kanë shoqëruar ato.

Nga Tirana në Banja Luka, historitë e nëntë grave pasqyrojnë jetën e tyre në profesione, mjedise dhe rrethana të ndryshme, duke trajtuar tema që lidhen me lirinë, punën, mëmësinë, ekonominë, pamjen e jashtme dhe përballjen me paragjykimet.

Fotografitë shoqërohen me rrëfime personale që sjellin perspektivat e protagonisteve mbi atë çfarë do të thotë të jesh grua në Ballkan sot.

Projekti fotografik është realizuar nga bashkëpunëtorët e AFP-së në Ballkan, Adnan Beci në Shqipëri dhe Elvic Barukçiq në Bosnje, nën drejtimin editorial të Andrej Isakoviç. Kurimi dhe intervistat janë realizuar nga Camille Bouissou, me kontributin e gazetarëve të AFP-së në Ballkan.

Ekspozita fizike shoqërohet nga një platformë shumëgjuhëshe online, e cila përmban një galeri të zgjeruar fotografish, rrëfime të shkruara dhe materiale audio.

“Unbounded Voices: Women of the Balkans – Strength & Legacy” do të qëndrojë e hapur në Vila 31 x Art Explora deri më 2 tetor, duke ftuar vizitorët të njihen me historitë dhe zërat e grave pas imazheve.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.