Kronika

“Zgjedhjet në Tiranë nuk përsëriten”/ KAS rrëzon kërkesën ankimore të PD dhe kandidatit të pavarur për pavlefshmëri zgjedhore

Anëtarët e KAS kanë vendosur të rrëzojnë kërkesën ankimore të Partisë Demkratike dhe kandidatit të Pavarur, Boiken Abazit për pavlefshmëri zgjedhore në qarkun Tiranë. “Zgjedhjet në Tiranë nuk përsëriten”, ishte vendimi i KAS që u dha me shumicë votash, 3 pro dhe dy kundër.

Ditën e sotme, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka bërë mbledhje për shqyrtimin e raporteve të të dhënave të kryqëzuara të pajisjes PEI në qarkun e Tiranës pas kërkesës së PD-së dhe ankimimit të kandidatit të pavarur të LVV, Boiken Abazi.

Nga ana tjetër, vijon mbledhja për kërkesën e PD për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Elbasanit. Pas Qarkut të Shkodrës, ku nga të dhënat dyshohet se 13 qytetarë kanë votuar 34 herë në Qendra të ndryshme votimi, parregullsi janë zbuluar edhe në Qarkun e Tiranës.

Administrata e KQZ ka zbardhur përmes kryqëzimit të të dhënave nga pajisja PEI se në Qarkun Tiranë, 51 qytetarë dyshohet se kanë votuar 123 herë në qendra te ndryshme votimi.

Sikurse shihet edhe nga dokumenti i siguruar nga “Top Channel”, tre persona kanë votuar nga dy herë me të njëjtën kartë identiteti, në Qendra të ndryshme Votimi. Ndërkohë, me shenjën e gishtit, 48 persona kanë votuar plot 117 herë.

Përfaqësuesi i PD, Marash Logu ka debatuar me anëtarin e KAS, Ledio Brahon gjatë mbledhjes për shqyrtimin e raporteve të të dhënave të kryqëzuara të pajisjes PEI në qarkun e Tiranës pas kërkesës së PD-së.

Logu, në debat e sipër i ka thënë se nuk kanë treguar në asnjë moment transparencë dhe i akuzoi se marrin urdhra politikë nga Edi Rama nëpërmjet mesazheve në telefon.

Ndërsa anëtari i KAS, Ledio Braho ka dalë vullnetar që të japë telefonin dhe të tregojë gjithçka, dhe i kërkoi Logut që të tregojë etikë e respekt për partinë e madhe që përfaqëson.

Pjesë nga debati

Marash Logu: Ne prisnim që transparencën që s’na e bënë institucionet ta bënte KAS, por ju u sollët si drejtuesit polik të Partisë Socialiste.

Ledio Braho: Ti heqim këto terma, kemi qenë në seanca gjyqësore dhe askund nuk etiketojmë njeri që merr vendime për cështje të aferave kriminale.

Marash Logu: 114 kërkesa për transparencë janë refuzuar. nuk presim asgjë nga ky komision.

 Ledio Braho: Është fakt.

Marash Logu: Fakt publik dhe juridik.

Ledio Braho: Nuk jam dakord me ty, këtë seancë e kemi për qarkun e Tiranës.

Marash Logu: Braho, me gjithë respektin dhe konsideratën, më lini të konkludoj për atë që mendoj se është më mirë. Nuk mendoj se duhet të bëjmë diskutim për konkluzionet e palëve.

Ledio Braho: Duhet të keni respekt, nëse e keni të pamundur, nëse atë nivel edukate keni që të manifestoni, duhet të keni etikë për profesionin që keni dhe subjektin që përfaqësoni. Në mënyrë të përsëritur etiketoni dhe flisni në mënyrë jo etike. Së paku, ruani etikën. Kërkesat rrëzohen në procese gjyqësore, në Gjykatë, në procese administrative. Mbase keni bërë kërkesa që ligjërisht nuk qëndrojnë, por nuk ju takon të etiketoni në mënyrë profesionale. Nëse nuk keni respekt për vete, respektoni partinë e madhe që përfaqësoni.

Marash Logu: S’kemi nevojë për leksione etike e morale që shkeljen e ligjit e kanë bërë rutinë. Këtu nuk vijmë për etikën e njërit apo tjetrit, kemi qëndrimet tona që duhet t’i paraqesim.

Ledio Braho: Edhe një herë, keni të drejtë që ju jep ligji, Kodi Zgjehdor për funksionimin e seancave por pa etiketime. Vijoni të kërkeoni pavlegshmërinë e zgjedhjeve për qarkun Tiranë?

Marash Logu: Kjo është pyetje retorike, sigurisht që i qëndrojmë të gjitha kërkesave. Po për sa kohë që urdhrat politikë vijnë në telefonat e anëtarëve të KAS nga Edi Rama, Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri…

Ledio Braho: Nëse keni shqetësim për telefonat, të jeni i hapur, telefonin tim mund ta keni që tani. Por këto nuk janë mesazhet e duhura që doni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button