Zogaj: Opozita duhet të sillet si qeveri për integrimin
Analisti Preç Zogaj ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se opozita shqiptare duhet të sillet si një forcë qeverisëse në çështjen e integrimit europian, duke e konsideruar këtë si një detyrim strategjik ndaj vullnetit të qytetarëve.
Zogaj theksoi se pavarësisht dallimeve natyrore që ekzistojnë midis pozitës dhe opozitës në mbledhje të ndryshme, sidomos ato ndërkombëtare ku palët shfaqin identitetin dhe qëndrimet e tyre, opozita duhet të adoptojë një qasje konstruktive dhe unifikuese për integrimin.
“Opozita duhet të sillet si qeveri gjithë për integrim gjithmonë”, deklaroi Zogaj, duke shtuar se strategjikisht kjo i shkon për shtat çdo opozite.
Ai argumentoi se arsyeja kryesore është mbështetja e jashtëzakonshme popullore për integrimin në Bashkimin Europian.
“Nuk ka një vend në botë që 92% e qytetarëve mbi 35 vjeç të jenë kaq pro integrimit. Ruhet një mazhorancë e tillë e pa shembull e dëshirë e vullnetit të shqiptarëve për të qenë në Evropë dhe elitat politike gjithmonë duhet ta matin gjithë qasjen e tyre për integrimin në raport me këtë përqindje.
Pra, nuk mund të jetë një partiak ajo 92-tëshi – është një shumicë se asnjë parti nuk ka në Shqipëri. Kështu që prandaj them që kjo është arsyeja e parë që duhet të sillet si me qenë në qeveri edhe opozita”, tha Zogaj.
Analisti vuri në dukje se opozita dhe pozita nuk janë e njëjta gjë dhe se ka raste kur palët duhet të shfaqin qëndrimet e tyre të veçanta, por në procesin e integrimit evropian, sipas tij, duhet të mbizotërojë një frymë bashkëpunimi që tejkalon interesat e ngushta partiake.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.