Kronika

20 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, mesazhe nga politika

Zyrtarë të lartë e politikanë shqiptarë përkujtuan sot 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit me mesazhe solidariteti me kombin amerikan.

Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Presidenti Ilir Meta tha se “nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan”.

“Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq. Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë. Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit! I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë”.

“20 vjet më parë, 11 shtatori hyri në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë, duke goditur mizorisht simbolin e tij, Amerikën, mu në zemrën e saj. Sot e përgjithmonë, 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë”, tha Rama.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se “dy dekada më parë, bota u trondit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës”.

“I bashkohemi përkujtimit të viktimave të terrorizmit dhe solidaritetit me familjarët e tyre dhe kombin mik amerikan. Ne qëndrojmë në krah të partnerit strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, që na bashkojnë në aleancën dhe miqësinë e veçantë mes dy kombeve tona”, shtoi Basha.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se “sulmet e 11 shtatorit 2001 janë një nga ato ngjarje që vështirë do të shlyhen ndonjëherë nga kujtesa”.

Por mbi të gjitha, tha Xhaçka, 11 shtatori është një ditë për të përkujtuar e nderuar kujtimin e atyre mijëra jetëve të pafajshme të humbura atë ditë e për të qenë më të bashkuar se kurrë edhe në emër të tyre, kundër terrorizmit e ekstremizmit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarakë profesionistë, që nderuan vendin e tyre në përballje me terrorizmin.

“Flamuri amerikan u ul në gjysmështizë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, në përkujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Një ngjarje që tronditi gjithë globin, por që afroi e bashkoi më shumë shoqëritë e lira dhe demokratike. Me udhëheqjen e SHBA, marshuam në zemër të terrorit për të mbrojtur vlerat thelbësore të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Shqipëria luajti rolin e saj duke mbajtur mbi shpatulla me dinjitet këto 20 vite lufte të përbashkët”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Shqipëria menjëherë pas atij momenti tragjik iu bashkua SHBA si një aleat besnik në një aleancë globale kundër terrorizmit.

“20 vite më parë SHBA u goditën nga katër sulme të koordinuara terroriste, të cilat lanë pas 3 mijë viktima dhe rreth 25 mijë të plagosur, duke regjistruar edhe sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit. Përkujtojmë sot gjithashtu 340 zjarrfikës dhe 72 punonjës policie të cilët humbën jetën pas kolapsimit të dy kullave binjake në New York”, shprehet Balla.

“Shqipëria menjëherë pas atij momenti tragjik iu bashkua SHBA si një aleat besnik në një aleancë globale kundër terrorizmit. Sot pas 20 vitesh teksa regjimi taleban u rivendos në Afganistan, Shqipëria është përkrah SHBA në mikpritjen dhe mbështetjen e afganëve, jeta e të cilëve rrezikohet në vendin e tyre”, tha ai.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj e ka cilësuar 11 shtatorin e 20 viteve më parë si dita që ndryshoi jo veç Amerikën, por botën siç e njihnim.
“20 vite me pas, shërben si kujtesë se shoqëritë e hapura, qytetet pluraliste e vlerat demokratike janë ende nën atak nga padija dhe sulmet e pakicave të dhunshme – le të mos harrojmë!”, shprehet Veliaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button