BRUKSEL: BE vendos kushte të reja për anëtarët e rinj: Nuk duam më një Viktor Orban
– Bashkimi Evropian po përgatit rregulla të reja për vendet që do t’i bashkohen në të ardhmen, me synimin për të parandaluar që ato të shfaqin rënie në standardet demokratike, pas anëtarësimit dhe të bllokojnë vendimmarrjen e unionit, siç ka ndodhur me Hungarinë nën drejtimin e Viktor Orban, raportoi “Euronews”.
Sipas një propozimi të Komisionit Evropian, vendet e reja anëtare mund t’i nënshtrohen një periudhe prove deri në 15 vjet pas anëtarësimit, gjatë së cilës Brukseli do të ketë në dispozicion mekanizma më të fortë, për të reaguar ndaj shkeljeve të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe vlerave themelore të BE-së.
Nisma lidhet me përvojën e Bashkimit Evropian me Hungarinë, ku mosmarrëveshjet me qeverinë e Viktor Orban për shtetin e së drejtës, pavarësinë e institucioneve dhe respektimin e vlerave evropiane, kanë shkaktuar përplasje të vazhdueshme me institucionet e unionit.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi se BE-ja, duhet të sigurohet që vendet kandidate të mos i përmbushin kriteret e anëtarësimit vetëm përpara hyrjes në union, por të vazhdojnë t’i respektojnë ato edhe pas anëtarësimit.
Sipas planit të diskutuar nga Komisioni Evropian, në rast të shkeljeve serioze, vendet e reja anëtare mund të përballen me masa ndëshkuese më të shpejta, përfshirë:
- Pezullimin e përkohshëm të së drejtës së votës në institucionet e BE-së.
- Kufizimin ose pezullimin e fondeve evropiane.
- Masa korrigjuese në rast të shkeljes së shtetit të së drejtës dhe vlerave themelore të unionit.
- Mbikëqyrje më të rreptë të respektimit të angazhimeve të marra gjatë negociatave të anëtarësimit.
Komisioni Evropian synon që këto masa të jenë të përcaktuara në traktatet e ardhshme të anëtarësimit dhe të mund të aktivizohen në rast të shkeljeve serioze.
Ato do të jenë të përkohshme, të synuara dhe të rishikueshme.
Një tjetër propozim parashikon që vendet e reja anëtare, për një periudhë të kufizuar pas anëtarësimit, të mos bllokojnë vendimet e ardhshme për zgjerimin e BE-së, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Rasti i Hungarisë ka nxitur diskutime për mënyrën se si një vend anëtar, mund të përdorë të drejtën e vetos për të penguar vendimmarrjen e përbashkët, përfshirë çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, sanksioneve dhe mbështetjes për Ukrainën.
Aktualisht, disa vendime të rëndësishme të BE-së kërkojnë unanimitet, çka do të thotë se një shtet i vetëm mund të pengojë arritjen e një marrëveshjeje mes 27 vendeve anëtare.
Për këtë arsye, Komisioni Evropian po shqyrton edhe mundësinë e zgjerimit të votimit me shumicë të cilësuar në disa fusha, për të shmangur bllokimet dhe për ta bërë më efikas funksionimin e unionit.
Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu ndryshime në mënyrën e funksionimit të institucioneve të BE-së, përfshirë përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, veçanërisht për hapjen e kapitujve të negociatave dhe vendimet e ndërmjetme në procesin e zgjerimit.
Komisionerja Marta Kos ka theksuar se zgjerimi i ardhshëm duhet të shoqërohet me garanci, që një union më i madh të jetë njëkohësisht më funksional dhe më i mbrojtur nga shkeljet e vlerave demokratike.
Propozimet vijnë në një kohë kur Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina po përparojnë në procesin e integrimit evropian, ndërsa Brukseli po përgatitet për një zgjerim të mundshëm në vitet e ardhshme.
Masat e reja synojnë të shmangin përsëritjen e problemeve, të krijuara nga përplasjet mes institucioneve evropiane dhe qeverisë hungareze, duke garantuar që respektimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të mos mbetet vetëm kusht për hyrjen në BE, por edhe detyrim i vazhdueshëm pas anëtarësimit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.