25 vite nga Marrëveshja e Ohrit – një marrëveshje për paqen atëherë, një përgjegjësi për të ardhmen sot
Liridona Beqiri
Ka momente në historinë e një shteti që nuk i përkasin vetëm një viti, një qeverie apo një gjenerate.
Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një dokument politik i vitit 2001. Është kontrata mbi të cilën u rindërtua vetë ky shtet. Është një pikë kthese që përcaktoi një mënyrë të re të bashkëjetesës, të barazisë dhe të ndërtimit të besimit mes qytetarëve dhe institucioneve.
Ne mund të kemi dallime politike. Mund të kemi kritika ndaj partive, qeverive apo individëve. Kjo është pjesë e demokracisë. Por duhet të kemi edhe përgjegjësinë të dallojmë debatin politik nga themelet mbi të cilat mbahet shoqëria.
Një prej tyre është karakteri multietnik i shtetit dhe fryma e barazisë që mishëron Marrëveshja e Ohrit duke kuptuar që ajo nuk është pengesë për të ardhmen e këtij shteti. Është një prej garancive që kjo e ardhme mund të ndërtohet së bashku.
Dhe për shqiptarët, kjo marrëveshje konfirmoi një realitet që nuk mund të anashkalohet: shqiptarët janë pjesë konstituive dhe shtetformuese e këtij vendi. Jo faktor i importuar, jo element shtesë, por pjesë e pandashme e realitetit të tij shoqëror, politik dhe institucional, dhe nuk ka retush filmik që mund t’i fshijë!
Sot një çerek shekulli më pas, pyetja që ngelet është:
A jemi ne ende të denjë për atë paqe që u pagua me aq shumë?
Ne jemi gjenerata e politikës urbane, e ideve moderne, e integrimit evropian, e teknologjisë dhe e standardeve perëndimore. Dhe misioni ynë sot është pikërisht ky: ta lidhim lavdinë e së kaluarës me vizionin e së ardhmes. Të ndërtojmë një politikë që nuk jeton me urrejtje, por as me harresë. Një politikë që e sheh Evropën si destinacion, por identitetin si themel. Jemi gjenerata që nuk do të jetojë në konflikt permanent me botën, por në konkurrencë me botën.
Prandaj, 25 vite pas Ohrit, mesazhi duhet të jetë i qartë dhe njëkohësisht i matur:
Të ruajmë paqen dhe të ecim së bashku drejt Evropës.
Sepse Evropa drejt së cilës synojmë nuk kërkon të jemi më pak të ndryshëm. Na kërkon të dimë të jetojmë së bashku, duke i kthyer dallimet në forcë.
Ohri ishte një marrëveshje për barazinë dhe paqen! E ardhmja duhet të jetë një marrëveshje për Evropën.
* Ditari i nje shqiptareje nga Maqedonia e Veriut



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.