Aleksandar Vulin shpall kandidaturën për president të Serbisë
Aleksandar Vulin, lideri i Lëvizjes së Socialistëve, ish-ministër në disa qeveri dhe ish-shef i Agjencisë serbe të Informacionit të Sigurisë (BIA), ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, siç njofton BBC në gjuhën serbe.
Njoftimi u bë të dielën në tubimin e partisë së tij me emrin “Bota Serbe”, të mbajtur në Beograd. “Dua të besoj se çdo president i ardhshëm do të jetë president i Botës Serbe, dhe nëse më jepni mbështetjen, dua të kandidoj për president të Serbisë”, tha Vulini para mbështetësve, duke shtuar se “Bota Serbe ka të drejtë të ketë kandidatin e vet, zërin e vet”.
Sipas raportimit të BBC-së, Vulini u bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit të votojnë listën “Serbia e Bashkuar”, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiçi. Ai tha se dallimet politike nuk do t’i pengojnë kurrë që Serbia të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të mos fusë viza për shtetasit rusë apo kinezë “sepse këtë e kërkojnë disa evropianë”, duke kritikuar Listën Studentore se është “më e gatshme të dëgjojë Evropën se këdo në Serbi”.
Zgjedhjet presidenciale ende nuk janë shpallur zyrtarisht, por pritet të mbahen në dhjetor, pas dorëheqjes së Vuçiçit më 27 shtator — detyrën e presidentes e ushtron aktualisht Ana Brnabiqi. Kandidatët e dy rivalëve kryesorë sipas parashikimeve, SNS-së dhe Listës Studentore, ende nuk dihen, thekson BBC.
Vulini është një nga figurat më kontroverse të politikës serbe: që nga ardhja e SNS-së në pushtet më 2012, ai ka drejtuar Zyrën për Kosovën, ka qenë ministër i Punës, i Mbrojtjes dhe i Punëve të Brendshme, e më pas shef i BIA-s. Shtetet e Bashkuara e kanë vënë nën sanksione, duke e akuzuar për përfshirje në krim të organizuar transnacional, operacione ilegale të drogës dhe keqpërdorim të funksionit publik — akuza që ai i mohon. Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë Urdhrin e Miqësisë për bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete të dy vendeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.