Bakujt e mbështetësve të SNS-së i vënë flakën mureve të Kalasë së Nishit gjatë tubimit parazgjedhor
Zjarri në monumentin historik u shua më pas; televizioni lokal proqeveritar Niš TV ndërpreu transmetimin live sapo nisi ndezja e bakujve — opozita ka depozituar kallëzime penale dhe kërkon dorëheqjen e kryetarit të Nishit.
Muret e Kalasë së Nishit u përfshinë nga flakët mbrëmjen e së dielës, gjatë tubimit parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në qytetin më të madh të jugut të vendit, pasi mbështetësit ndezën fishekzjarrë dhe bakuj, siç raportojnë Južne vesti, cituar nga BBC në gjuhën serbe.
Sipas raportimit, flakët kapën bedenat e kalasë osmane të shekullit XVIII — një nga monumentet më të ruajtura të Ballkanit — dhe u shuan më pas. Televizioni lokal proqeveritar Niš TV ndërpreu transmetimin e drejtpërdrejtë të tubimit sapo nisi ndezja e bakujve, njoftoi agjencia Beta.
Incidenti shkaktoi reagime të ashpra në Serbi. “As turqit, as austro-hungarezët, as ndonjë pushtues tjetër nuk i vunë flakën Kalasë së Nishit. Përparimtarëve ua doli. Barbarë”, shkroi në rrjetet sociale deputetja opozitare Jelena Millosheviq. Studentët reaguan me ironi: “Nuk janë të zotë as të ndezin fishekzjarrë, e lëre më të drejtojnë shtetin”, siç citohet nga portali N1.
Opozita ka depozituar kallëzime penale për djegien e mureve të kalasë, ndërsa Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Nishit për incidentin. Deputeti Gjorgje Stankoviq, i cili denoncoi zjarrin, është thirrur në polici për t’u marrë në pyetje, raporton Nova.rs.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.