ANKARA – Vizita e Trump në Turqi forcon pozitat e Erdoganit në marrëdhëniet me SHBA-në
– Vizita e presidentit amerikan Donald Trump në Turqi gjatë samitit të NATO-s, u konsiderua një sukses diplomatik për presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili synon të forcojë marrëdhëniet me Uashingtonin dhe të rrisë rolin e Ankarasë brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut, raportoi “Reuters”.
Trump u prit në Ankara me një ceremoni të veçantë, ndërsa Erdogan e cilësoi si “mik të dashur”.
Gjatë takimeve dypalëshe, të dy liderët shfaqën afrimitet politik, ndërsa presidenti amerikan vlerësoi disa herë marrëdhëniet me homologun turk.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte, mundësia e heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Turqisë, për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes S-400.
Trump deklaroi gjithashtu se ishte i hapur për mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 për Ankaranë, megjithëse kjo çështje mund të përballet me pengesa ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Blerja e sistemeve S-400 nga Rusia kishte shkaktuar tensione të forta mes Turqisë dhe aleatëve të saj në NATO, duke çuar në kufizime amerikane ndaj bashkëpunimit ushtarak me Ankaranë.
Trump deklaroi se pjesëmarrja e tij në samitin e NATO-s, lidhej edhe me faktin se ai ishte organizuar nga Erdogan, një zhvillim që u interpretua si një arritje diplomatike për udhëheqjen turke.
Megjithatë, samiti u shoqërua edhe me tensione brenda Aleancës, pasi Trump kritikoi disa vende anëtare dhe kërkoi ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Spanjën, ndërsa përsëriti qëndrimet e tij për Groenlandën, duke shkaktuar reagime nga Danimarka.
Vizita e Trump i dha gjithashtu Erdoganit një mbështetje politike në planin e brendshëm, në një kohë kur qeveria turke përballet me kritika ndërkombëtare, lidhur me arrestimet e opozitarëve dhe gazetarëve, si dhe shqetësimet për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në vend.
Pavarësisht afrimit të ri mes Ankarasë dhe Uashingtonit, çështjet e sigurisë, të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve me Rusinë, mbeten sfida të rëndësishme në raportet mes Turqisë dhe aleatëve perëndimorë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.