Apeli i Papës nga Vatikani: Lufta në Lindjen e Mesme është skandal për njerëzimin, nuk mund të heshtim
Gjatë lutjes tradicionale të Angelus këtë të dielë, Papa Françesku bëri një apel të fuqishëm për t’i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën, duke i dënuar ashpër pasojat e luftës mbi civilët e pafajshëm.
Ati i Shenjtë shprehu tronditjen dhe shqetësimin e tij të thellë për situatën e rënduar të sigurisë, duke e cilësuar vdekjen dhe dhimbjen e shkaktuar nga armiqësitë si një “skandal për të gjithë familjen njerëzore dhe një britmë drejtuar Zotit”.
“Vazhdoj ta ndjek me shqetësim situatën në Lindjen e Mesme, si dhe në rajone të tjera të botës të shkatërruara nga lufta dhe dhuna,” u shpreh Papa para besimtarëve. Ai theksoi domosdoshmërinë e një reagimi global humanitar, duke nënvizuar se bota nuk mund të mbetet e heshtur përballë vuajtjeve të viktimave të pafuqishme.
“Çfarëdo që i lëndon ata, lëndon të gjithë njerëzimin,” shtoi ai.
Në përfundim të mesazhit të tij, Papa Françesku ripërtëriu thirrjen urgjente për lutje dhe veprim diplomatik. Ai kërkoi që armiqësitë të pushojnë menjëherë për t’i hapur rrugë “shtigjeve të paqes”, të cilat sipas tij mund të ndërtohen vetëm mbi themelin e një dialogu të sinqertë dhe respektit absolut për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.
/rtsh.al/
The post Apeli i Papës nga Vatikani: Lufta në Lindjen e Mesme është skandal për njerëzimin, nuk mund të heshtim appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.