Arrestimi i ish-kreut të SHISHI, përplasje në Komisionin e Ligjeve
Arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, solli përplasje edhe këtë të mërkure mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, kërkoi që zhvillimet e fundit të diskutohen nga Kuvendi, duke akuzuar qeverinë për depërtim të krimit të organizuar në institucionet shtetërore.
“Rend dite sot jo në këtë komision, por në çdo komision, në seancë plenare dhe kudo është ajo që është skandali i djeshëm, zoti kryetar. Pra, domethënë kjo reforma, për t’ia nxjerrë jetën më shumë shqiptarëve, ka për sfond skandalin e djeshëm”, tha Bylykbashi.
Edhe Saimir Korreshi kërkoi që çështja e sigurisë kombëtare të ishte prioritet, duke thënë: “Ka rënë shteti sot”.
“Duke qenë se na njoftuar ndryshimin e sallës, unë mendova se kishte ardhur Baromi për tw mbledhur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se ka rënë shteti, ka ulur siguresa të gjitha. Kush është jurist dhe ne që jemi jurist e dimë që sot ai që na mbronte nga të jashtme në agjenturat është në burg se i tregonte vetë edhe ai që ishte i brendshmi na çonte te krimi. Çfarë të bëjmë tani? Ne të rrimë të ndajmë këtu kooperativat”, tha Korreshi.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit, Ulsi Manja, u kërkoi deputetëve t’i përmbahen rendit të ditës dhe vijimit normal të punës së komisionit.
“Nuk besoj se ka projekt më të rëndësishëm për komisionin tonë sesa projektligji që kemi në rend dite dhe nuk duhet kurrsesi që ne të ulim rëndësinë e kësaj mbledhje dhe të këtij komisioni me veprimtarinë normale të institucioneve në një shtet demokratik”, tha Manja.
Debati u zhvillua gjatë mbledhjes ku në rend dite ishte diskutimi për ndarjen administrativo-territoriale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.