Arrestohet në Menidi anëtari i bandës që mashtronte të moshuarit në rrugë dhe i vidhte në shtëpi
Shtireshin si kontabilistë dhe bindnin viktimat për një detyrim financiar të një të afërmi; janë zbardhur 15 raste me përfitim të paligjshëm 70 mijë euro
Një 41-vjeçar grek, anëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje dhe mashtrime ndaj të moshuarve në zona të ndryshme të Athinës, u arrestua të premten më 20 nëntor në Aharnes të Atikës nga policë të Nëndrejtorisë së Ndjekjes dhe Zbardhjes së Krimeve të Pireut, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Ndaj tij u ngrit dosje për grup kriminal (bandë) me qëllim kryerjen e vjedhjeve dhe mashtrimeve të rënda, në mënyrë profesionale dhe të përsëritur, si dhe për grabitje, ndërsa në dosje përfshihen edhe tre anëtarë të tjerë, të cilët janë identifikuar dhe janë në kërkim.
Nga hetimi paraprak u konstatua se të akuzuarit kishin krijuar dhe ishin bashkuar në bandë të paktën që nga prilli i vitit 2025, me qëllim kryerjen e vjedhjeve dhe mashtrimeve ndaj të moshuarve në zona të ndryshme të Athinës dhe përfitimin e paligjshëm financiar.
Anëtarët e grupit i lokalizonin të moshuarit që lëviznin në këmbë dhe, duke u shtirur si kontabilistë, i bindnin se ekzistonte një detyrim financiar i pazgjidhur i një të afërmi të tyre të ngushtë. Më pas, pasi i hipnin në një automjet të bandës, shkonin së bashku në banesën e tyre, ku u merrnin paratë e gatshme dhe sendet me vlerë.
Gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe mashtrimeve, anëtarët e bandës merrnin masa të shtuara «vetëmbrojtjeje» (syze e të tjera), ndërsa përdornin edhe automjete «operacionale», të destinuara për përdorim gjatë veprimtarisë së tyre kriminale. Në një rast, 41-vjeçari dyshohet se përdori dhunë fizike për të mbajtur sendet e vjedhura, duke e rrëzuar përtokë të moshuarën.
Nga hetimi paraprak i deritanishëm janë zbardhur 15 raste vjedhjesh dhe mashtrimesh, me përfitim të përgjithshëm të paligjshëm që arrin në 70 mijë euro. Gjatë kontrollit në banesën e të akuzuarit u gjetën dhe u sekuestruan veshje që kishte përdorur gjatë kryerjes së veprave penale. I arrestuari u dërgua te prokurori kompetent.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.