Ndjekje në bulevardin Singru: arrestohet 34-vjeçari me motoçikletë që injoroi sinjalin e Policisë Rrugore
Gjatë ndjekjes ranë në rrugë si motoçiklisti ashtu edhe një polic i grupit DIAS, i cili u dërgua me lëndime të lehta në Spitalin Ushtarak 401
Një 34-vjeçar, drejtues motoçiklete, u arrestua mëngjesin e së enjtes pas një ndjekjeje me episode në bulevardin Singru në Athinë, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Sipas Policisë, rreth orës 10:35, në kryqëzimin e rrugës Lagoumitzi me bulevardin Singru, policët e grupit DIAS i bënë sinjal një motoçiklisti 34-vjeçar të ndalonte, për të kryer një kontroll. Ai nuk iu bind urdhrave të tyre dhe rriti shpejtësinë për t’u arratisur, duke nisur kështu ndjekjen.
Pak më tej, në nyjën e hyrjes për në Qendrën Kulturore Fondacioni Stavros Niarchos, si 34-vjeçari ashtu edhe një polic i grupit DIAS rrëshqitën me motoçikletat e tyre dhe ranë në rrugë, pa u lënduar rëndë.
34-vjeçari u arrestua, ndërsa polici u transferua në Spitalin Ushtarak 401 me lëndime të lehta. Së fundi, siç u bë e ditur nga policia, gjatë ndjekjes drejtuesi i motoçikletës hodhi nga vetja paketa që përmbanin sasi të vogla kanabisi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.