Arrestohet në Rinas 53-vjeçari ukrainas, ishte shpallur në kërkim për trafik droge
Një 53-vjeçar ukrainas është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kievit për trafik të lëndëve narkotike, në kuadër të një organizate kriminale.
Policia e Shtetit bën me dije se arrestimi i shtetasit me inicialet A.S. u krye nga Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.
Operacioni u realizua pas shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
53-vjeçari u ndalua në momentin që zbriti në aeroportin e Rinasit, ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë bashkëpunimin me agjencitë partnere për të dokumentuar aktivitetin e tij dhe lidhjet me organizatën kriminale.
Ndërkohë, Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Ukrainës, në bashkëpunim me homologët ukrainas.
Policia e Shtetit ka vlerësuar bashkëpunimin me agjencitë partnere ndërkombëtare për shkëmbimin e informacionit dhe goditjen e veprimtarisë kriminale me shtrirje përtej kufijve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.