“Asnjë vend në rajon nuk e ka bërë”, ministri Gogu. Reforma në Drejtësi po konsolidohet, por sistemi përballet ende me sfida
Gjatë një konference për media, ministri i Drejtësisë Toni Gogu u ndal te raporti i fundit i Sundimit të Ligjit për Shqipërinë, i publikuar nga Komisioni Evropian, duke e cilësuar si një vlerësim të rëndësishëm për ecurinë e Reformës në Drejtësi.
Ministri theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të reformës, ku vlerësimi i sistemit matet përmes përvojës së qytetarëve me drejtësinë e përditshme. “Shqipëria po konsolidon Reformën në Drejtësi. Ky është pohimi kryesor i raportit. Raporti e vlerëson si një etapë historike, si konsolidim të pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor,” u shpreh Gogu.
“Dua ta nis me një vlerësim për sistemin tonë të drejtësisë nga partnerët tanë europianë, ku pak ditë më parë u miratua Raporti i sundimit të ligjit për Shqipërinë. Ky është një dokument që nuk e shkruan qeveria, por është hartuar nga një burokrat i BE-së, i cili komplimenton sistemin e drejtësisë shqiptare dhe thotë atë gjë që çdo skeptik duhet ta pranojë. Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi.”
Ai u ndal te procesi i Vettingut, duke e cilësuar si një pastrim historik të sistemit gjyqësor.
“Ky raport vlerëson edhe procesin e Vettingut, ku sot pas 9 vitesh jemi në një pastrim të sistemit të drejtësisë, që nuk e ka parë asnjë vend i rajonit dhe shumë pak vende të BE-së e kanë përjetuar. Raporti këtë e vlerëson si etapë historike të konsolidimit të pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor.”
Më tej, Gogu theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të Reformës në Drejtësi, ku vlerësimi matet përmes përvojës së qytetarëve me drejtësinë e përditshme. “Kemi hyrë në një fazë të re, ku përjetesa matet me atë që qytetari ndesh çdo ditë në sistemin e drejtësisë. Nuk kemi një raport glorifikues, jemi këtu për të thënë atë çfarë ka ndodhur, të mirat dhe problemet në sistem.”
Ministri përmendi gjithashtu punën e Gjykatës së Lartë dhe nisjen e procesit të digjitalizimit si dy elementë të rëndësishëm të progresit. “Do të kemi më shumë transparencë, më shumë eficencë në sistemin gjyqësor, që do të thotë më pak qytetarë që presin në gjykata pa e ditur se çfarë po ndodh me dosjet e tyre.”
Megjithatë, Gogu paralajmëroi se progresi nuk duhet të shërbejë si arsye për vetëkënaqësi. “Ne nuk lexojmë vetëm arritjet, duhet lexuar raporti i tëri. Nuk kemi një raport glorifikues, por një dokument që evidenton edhe problematikat që kërkojnë zgjidhje.”
Ministri Gogu u ndal edhe te sfidat që ende e shoqërojnë sistemin e drejtësisë, duke i përshkruar si problematika që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të garantuar funksionimin e plotë të reformës.
Ai theksoi se vonesat në proceset gjyqësore vazhdojnë të mbeten një barrë e rëndë për qytetarët, ndërsa vakancat në sistem krijojnë boshllëqe që ndikojnë drejtpërdrejt në eficencën e gjykatave dhe në cilësinë e vendimmarrjes. Po ashtu, Gogu nënvizoi se forcimi i mëtejshëm i luftës kundër korrupsionit është një prioritet i domosdoshëm për të rritur integritetin e institucioneve, ndërsa rritja e besimit të qytetarëve te drejtësia mbetet një sfidë madhore që duhet adresuar me seriozitet dhe transparencë.
“Vonesat në proceset gjyqësore vazhdojnë të mbeten një barrë e rëndë për qytetarët, ndërsa vakancat në sistem krijojnë boshllëqe që ndikojnë drejtpërdrejt në eficencën e gjykatave dhe cilësinë e vendimmarrjes. Po ashtu, forcimi i mëtejshëm i luftës kundër korrupsionit është një prioritet i domosdoshëm për të rritur integritetin e institucioneve, ndërsa rritja e besimit të qytetarëve te drejtësia mbetet një sfidë madhore që duhet adresuar me seriozitet dhe transparencë.”
Më tej ai theksoi se “Shqipëria po konsolidon Reformën në Drejtësi. Ky është pohimi kryesor i raportit. Por ne duhet të lexojmë raportin të tërin, jo vetëm arritjet. Sfida mbeten, dhe ato duhet të adresohen me seriozitet.”
Vijon



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.