Atë Aleks Ndreca: Dialogu ndërfetar, themel i bashkëjetesës
Bashkëpunimi ndërfetar, respekti për lirinë e besimit dhe ruajtja e paqes ishin në qendër të mesazhit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare Jubilare, zhvilluar sot në Tiranë me rastin e 35-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në këtë aktivitet, Atë Aleks Ndreca përcolli përshëndetjet e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke vlerësuar marrëdhëniet e vazhdueshme mes komunitetit ortodoks dhe atij bektashian.
“Rihapja e institucioneve fetare pas rënies së regjimit ateist ishte një ngjarje e madhe për mbarë vendin. Pas dekadash ndalimi dhe persekutimi, shqiptarët rifituan një të drejtë themelore: lirinë për të besuar, për të shprehur bindjet e tyre dhe për të organizuar jetën e bashkësive të tyre fetare. Kjo liri është një pasuri e përbashkët, të cilën kemi detyrimin ta ruajmë me përgjegjësi”, tha ai.
Ai theksoi se dialogu ndërfetar nuk nënkupton fshehjen e dallimeve, por respektimin e ndërsjellë dhe pranimin e tjetrit pa paragjykime.
“Paqja fetare nuk ndërtohet duke hequr dorë nga dallimet, por duke mos lejuar që dallimet të bëhen mure armiqësie”, u shpreh Atë Ndreca.
Sipas tij, në një kohë kur gjuha e urrejtjes, polarizimi dhe përçarja përhapen me shpejtësi, veçanërisht te të rinjtë, drejtuesit e komuniteteve fetare kanë përgjegjësi të përbashkët për të promovuar respektin, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën paqësore.
Atë Ndreca nënvizoi gjithashtu se feja nuk duhet të përdoret për të ndarë njerëzit, për të nxitur konfliktin apo për të justifikuar dhunën, duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë duhet të ndërtohet mbi lirinë, drejtësinë, respektin e ndërsjellë dhe bashkëjetesën paqësore.
“Drejtuesit fetarë japin shembullin se besnikëria ndaj traditës së vet mund të bashkëjetojë me respektin e thellë për lirinë dhe dinjitetin e tjetrit. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe sot, kur gjuha e urrejtjes, polarizimi dhe përçarja përhapen me shpejtësi, sidomos ndërmjet të rinjve. Detyra jonë e përbashkët është të mos lejojmë që feja të përdoret për të ndarë njerëzit, për të ndezur konfliktin apo për të justifikuar dhunën. Me fjalën dhe me shembullin tonë duhet të tregojmë se e ardhmja e Shqipërisë ndërtohet me liri, drejtësi, respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë paqësore. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë në këtë rrugë, me identitet të qartë dhe me fjalë të sinqertë”, tha Atë Ndreca.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.