Balla në PE: Pretendimet për shitjen e Sazanit, të rreme. Ende asnjë marrëveshje përfundimtare. “Pishë Poro–Nartë”, zonë e mbrojtur
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një fjalim para anëtarëve të Parlamentit Europian në grupin e Socialistëve dhe Demokratëve, deklaroi se Shqipëria ka përmbushur me sukses të gjitha piketat e ndërmjetme të Grupkapitullit të Themeloreve në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Balla theksoi se vendi po shënon përparim të qëndrueshëm në rrugën drejt integrimit europian, ndërsa sipas tij reforma në drejtësi ka kaluar nga faza e ndërtimit institucional në atë të performancës konkrete, me rol të rëndësishëm të SPAK dhe GJKKO
“Vlerësimi pozitiv i Raportit për Vlerësimin e Piketave të Ndërmjetme (IBAR) tregon se reforma në drejtësi në Shqipëri ka hyrë në fazën e rezultateve institucionale”, u shpreh Balla.
Duke iu referuar zhvillimeve të brendshme dhe debatit publik, ai deklaroi se vendi po përballet me një fushatë dezinformimi, përfshirë edhe në rrjetet sociale.
Në fjalën e tij, Balla sqaroi edhe çështjen e planit për investime në Zvernec, duke theksuar se ajo është pronë private e regjistruar dhe se zhvillimi i saj është rezultat i marrëveshjeve mes pronarëve dhe investitorëve.
Ai shtoi se zona “Pishë Poro–Nartë” mbetet zonë e mbrojtur dhe nuk ka ndryshuar statusin e saj, ndërsa theksoi se nuk ka lidhje me Deltën e Vjosës, e cila sipas tij gëzon statusin më të lartë të mbrojtjes mjedisore dhe është pjesë e UNESCO-s.
“Zona e investimit në Zvërnec është pronë private, e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Plani i zhvillimit për atë zonë është rezultat i marrëveshjeve ndërmjet investitorëve dhe pronarëve që disponojnë tituj pronësie të regjistruar në regjistrin kadastral, ashtu siç ndodh në raste të panumërta të zhvillimit të pronave private. Investitorët e kanë blerë tokën nga këta pronarë dhe aktualisht janë pronarët legjitimë të saj. Zona “Pishë Poro–Nartë” nuk e ka ndryshuar asnjëherë kategorinë e saj si “Peizazh i Mbrojtur” që nga viti 2004, kur u shpall për herë të parë e tillë. Ajo ka qenë dhe mbetet një zonë e mbrojtur e klasifikuar si Kategoria V sipas IUCN-së, pra Peizazh i Mbrojtur.
Kjo zonë nuk ka asnjë lidhje me Deltën e Vjosës, pavarësisht përpjekjeve të qëllimshme për të krijuar konfuzion dhe për të dhënë përshtypjen se delta do të preket nga ndërtimet. Eshtë fake news. Për fat keq i shpërndarë dhe nga një anëtar i Parlamentit Europian. Kjo është e pamundur, sepse lumi Vjosë, përgjatë të gjithë rrjedhës së tij prej 480 kilometrash, së bashku me degët dhe grykëderdhjen e tij në Adriatik, gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes si Park Kombëtar, Kategoria I, dhe tashmë është pjesë e ekosistemeve të Biosferës së UNESCO-s” u shpreh Balla, duke shtuar se informacionet e tilla janë shpërndarë edhe nga aktorë ndërkombëtarë në mënyrë të pasaktë.
Duke iu referuar ishullit të Sazanit, Balla deklaroi se çdo pretendim për shitjen e tij është i pavërtetë, duke theksuar se ai mbetet pronë shtetërore. Sipas tij, qeveria po shqyrton vetëm modele investimi ku shteti mund të marrë pjesë si partner në zhvillime turistike, ndërsa negociatat me investitorët janë ende në proces dhe nuk ka marrëveshje përfundimtare.
“Çdo lajm që pretendon se ne kemi dhënë apo shitur ISHULLIN E SAZANIT është lajm i rremë. Ai është pronë shtetërore dhe asnjëherë nuk ka qenë objekt shitjeje apo kërkese për shitje. Mënyra e propozuar për ta vënë këtë pronë shtetërore në funksion të transformimit të saj në një destinacion turistik të klasit botëror është përmes pjesëmarrjes së shtetit në vetë investimin. Në bazë të një procesi të detajuar negociatash, shteti do të përfitonte aksione si palë e përfshirë në investim, ndërsa ishulli do të mbetej në çdo kohë pronë e shtetit shqiptar.
Negociatat janë ende në zhvillim dhe ende nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vijuar studimet e tyre të zhvillimit, por ende nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe as vlerësimin përkatës të ndikimit në mjedis,” tha ai.
Balla theksoi se Shqipëria do të vijojë të respektojë standardet europiane në fushën e mjedisit dhe të zhvillojë ekonominë turistike në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me procesin e integrimit në BE.
“Dua t’ju garantoj se Shqipëria, si një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit, progres i vlerësuar nga Komisioni Europian, do të vazhdojë të respektojë standardet dhe angazhimet në këtë drejtim. Shqipëria do të zhvillojë dhe forcojë ekonominë e saj turistike për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj”, theksoi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.