Balla: Persona të lidhur me Iranin, organizatorë të akteve të dhunshme në protestë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar disa persona të përfshirë në përplasjet gjatë protestës para Kuvendit se kanë lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.
Gjatë fjalës së tij në sallën e Parlamentit, Balla tha se aktet e dhunshme nuk kanë lidhje me një protestë qytetare dhe se, sipas tij, organizatorët kryesorë të përplasjeve janë persona të identifikuar me lidhje të dyshuara me struktura iraniane.
“Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qarta me Gardën Revolucionare të Iranit janë organizatorët kryesorë të akteve të dhunshme”, deklaroi Balla.
Ai gjithashtu akuzoi Partinë Demokratike se nuk është distancuar nga dhuna dhe se ka treguar solidaritet, sipas tij, me persona që nuk përfaqësojnë një protestë paqësore.
“Është keqardhje që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi kundër dhunës”, tha kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla u ndal edhe te efektivët e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë përplasjeve, duke shprehur solidaritet me ta dhe familjet e tyre.
“Shprehim solidaritetin dhe lutjet që katër punonjës të policisë të plagosur nga dhuna barbare janë jashtë rrezikut për jetën. Uroj që shëndeti dhe jeta e tyre të mos rrezikohen. Ne për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit. Kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi ai.
Balla kërkoi gjithashtu reagim nga drejtësia dhe nga Kuvendi për dhunën e ndodhur, duke theksuar se policia ka detyrën të ruajë rendin dhe sigurinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.