Banka Komerciale konfirmon pjesëmarrjen në ankandin për blerjen e Alta Bankës
Ankandi publik mbahet më 30 nëntor, me çmim fillestar 3.777 denarë për aksion; për të gjitha 372.742 aksionet duhen 1,41 miliard denarë.
Banka Komerciale është kandidati i parë zyrtar që ka njoftuar se do të marrë pjesë në ankandin publik të caktuar për më 30 nëntor, për blerjen e aksioneve të Alta Bankës së Manastirit, sipas Alsat. Përpos Bankës Komerciale, për momentin nuk ka informacione nëse në ankand do të marrin pjesë edhe banka të tjera.
Çmimi fillestar i një aksioni është 3.777 denarë, e gjithsej janë 372.742 aksione. Në ankand duhet domos të blihen të gjitha aksionet, që do të kushtojnë 1,41 miliard denarë, apo 22,9 milionë euro.
Në ankand do të mund të marrin pjesë vetëm kandidatët të cilët kanë marrë pëlqim nga Banka Popullore. Nga Banka Popullore për Alsat njoftuan se janë duke shqyrtuar dokumentacionet dhe rregullat ligjore për pjesëmarrje në ankand, por nuk zbulojnë numrin dhe emrat e pjesëmarrësve të interesuar.
Nëse përpjekja e parë për shitjen e 95,3% të aksioneve të Alta Bankës dështon, do të ketë edhe pesë ankande të tjera, të caktuara për më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor. Në çdo ankand të radhës, çmimi fillestar do të ulet për 10%.
Banka Komerciale pati tentuar ta blejë Stopanska Banka Manastir edhe në vitin 2024 dhe pati ofruar rreth 20,3 milionë euro, por jo të gjithë aksionarët patën pranuar ofertën. Stopanska Banka Manastir vitin 2024 e pati mbyllur me fitim prej 2,6 milionë euro, ndërsa Alta Banka tani shitet me humbje prej 791 mijë euro për 9 muajt e parë, sipas Alsat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.