Begaj në Samitin e Brdo-Brijunit: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE forcon sigurinë e Europës
Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Europian si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë. Gjatë Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit, të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Begaj ritheksoi ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat në vitin 2027 dhe për t’u bërë anëtare e BE-së në vitin 2030.
Në samit, ku morën pjesë liderët e rajonit, në qendër të diskutimeve ishin integrimi europian, siguria, bashkëpunimi rajonal dhe krijimi i mundësive të reja për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se siguria e Ballkanit Perëndimor është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e gjithë Europës, duke nënvizuar se anëtarësimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Europian do të forconte qëndrueshmërinë dhe aftësinë e kontinentit për t’u përballur me sfidat.
“Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i shkëputur nga siguria e përgjithshme evropiane. Një Evropë më e sigurt kërkon një rajon të ankoruar fort në institucionet dhe vlerat evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të forcojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit ngriti gjithashtu shqetësimin për kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja, si dhe për nacionalizmin ekstrem dhe revizionizmin historik. Sipas tij, glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte cenon besimin mes vendeve, pengon procesin e pajtimit dhe dobëson perspektivën e përbashkët europiane.
Gjatë fjalës së tij, Begaj ritheksoi se fqinjësia e mirë mbetet një nga prioritetet themelore të politikës së jashtme shqiptare, duke u mbështetur në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe qëndrueshmërinë në angazhimet rajonale.
Ai shfrytëzoi këtë forum edhe për të rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të përshpejtimit të proceseve integruese të Kosovës, si në Bashkimin Europian, ashtu edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Sa i përket integrimit të Shqipërisë, Presidenti nënvizoi objektivin për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030. Ai theksoi se përmbushja e kësaj ambicieje kërkon vijimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe garantimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave.
Begaj kërkoi gjithashtu që procesi i zgjerimit të mbetet i bazuar në meritë dhe rezultate, duke theksuar se përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate duhet të shoqërohet me përparim konkret drejt anëtarësimit.
Një tjetër çështje e trajtuar në samit ishte bashkëpunimi ekonomik dhe rajonal. Presidenti vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për afrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së, zhvillimin e infrastrukturës dhe krijimin e përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset.
“Bashkëpunimi rajonal nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian, por një nga mënyrat për t’u përgatitur për të”, theksoi Begaj.
Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Përbashkët të Ohrit, ku riafirmuan mbështetjen për perspektivën europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin e BE-së një domosdoshmëri gjithnjë e më të madhe gjeopolitike.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se vendet e rajonit nuk duhet të trajtohen si vende të treta, por si pjesë përbërëse e rrjeteve infrastrukturore, integrimit ekonomik dhe zhvillimit të ardhshëm të Europës.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.