Behrami i reagon Kurtit: Pse nuk ke të njëjtin zell për mbrojtjen e UÇK-së si për Ligjin për Shtetësi?
Deputeti i PDK-së: Mendimi ligjor i Ministrisë së Drejtësisë, rutinë koti
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me procedimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç njofton Klan Kosova.
Behrami ka thënë se mendimi ligjor i Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje nuk është i detyrueshëm për deputetët dhe se procedura, sipas tij, mund të ishte përfunduar shumë më shpejt.
“Fillimisht, mendimi ligjor i Ministrisë së Drejtësisë është totalisht i parëndësishëm, as nuk është i obligueshëm për neve deputetëve. Ai është rutinë koti dhe ka mundur me e bërë brenda dy minutave, me disa mendime dhe me e sjellë në Kuvend”, deklaroi Behrami në emisionin “Kosova Today”.
Ai më pas e pyeti kryeministrin pse, sipas tij, nuk tregon të njëjtin angazhim për çështjet që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si për Ligjin për Shtetësi.
“Po pse nuk e ka kryeministri zellin e njëjtë? Motivin e njëjtë? Me çfarë shpejtësie e ka pru ligjin për shtetësi serbe që neve ka me na e ndryshu demografinë në Kosovë, a e dini se me shpejtësi të dritës e ka pru në komisione në lexim të parë e lexim të dytë”, tha ai.
Behrami ka kërkuar që i njëjti ritëm të përdoret edhe për çështjet që lidhen me mbrojtjen e UÇK-së dhe Kosovës.
“Pse nuk e ka këtë zell për me e mbrojt UÇK-në? Për me e mbrojt Kosovën? Edhe ky është mendim i imi personal”, tha Behrami.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.