Sulmet ndaj gazetarëve, krijohet mekanizëm i ri
Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve nisi zyrtarisht punën, me synimin për të forcuar mbrojtjen e punonjësve mediatikë nga kërcënimet dhe sulmet.
Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve do të jenë në fokus të një mekanizmi të ri ndërinstitucional. Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve nisi sot zyrtarisht punën, me synimin për të forcuar mbrojtjen e punonjësve mediatikë, njofton Alsat.
Për kryetar të Komitetit është caktuar ndihmësministri për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike në MPB, Muhamed Ismaili, i cili njëkohësisht është edhe pika kombëtare e kontaktit në Këshillin e Evropës për sigurinë e gazetarëve.
Në fjalimin e tij, Ismaili shpjegoi arsyet e formimit të Komitetit, organizimin, kompetencat dhe aktivitetet e ardhshme, duke theksuar se bëhet fjalë për një trup koordinues që do të bashkojë institucionet përgjegjëse për sigurinë, drejtësinë dhe mediat me përfaqësuesit e komunitetit gazetaresk.
“Nuk duam të krijojmë një mekanizëm ku institucionet diskutojnë mes vete për sigurinë e gazetarëve. Duam një mekanizëm ku gazetarët do ta kenë zërin e tyre, ndërsa institucionet detyrimin për ta dëgjuar atë zë”, theksoi Ismaili.
Në përbërjen e Komitetit janë përfshirë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Transformimit Digjital, Prokuroria Publike, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Radio Televizioni i Maqedonisë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.