Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe ajo e Firences, marrëveshje për trashëgiminë e shkruar
Tiranë, 14 tetor /ATSH/ – Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare Qendrore e Firences dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi trepalëshe, me synim shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e bibliotekonomisë dhe trashëgimisë kulturore.
Marrëveshja u nënshkrua në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të projektit EPOCHE (Enhancement and Promotion of Our Cultural Heritage), i cili mbështetet nga Fondi për forcimin e promovimit të kulturës dhe gjuhës italiane jashtë vendit për periudhën 2025-2027.
Në kuadër të këtij projekti, Biblioteka Kombëtare Qendrore e Firences ka nisur një program trajnimi për tre bibliotekarë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të cilët do të zhvillojnë një periudhë formimi pranë institucionit italian.
Trajnimi do të përqendrohet në katalogimin e librave të vjetër dhe të rrallë, me synimin për të thelluar njohuritë profesionale dhe për të nxitur shkëmbimin e përvojave në përpunimin bibliografik të koleksioneve historike.
Bashkëpunimi synon të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekspertizës profesionale dhe në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes institucioneve shqiptare dhe italiane, duke vënë në fokus ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.