BM – Emigracioni bie me gati dy të tretat, në nivelin më të ulët në gati 30 vjet
LONDËR, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Emigracioni neto në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në rreth 77 mijë persona në 12 muajt deri në qershor, duke shënuar nivelin më të ulët në gati 30 vjet, nëse përjashtohet periudha e pandemisë COVID-19.
Sipas të dhënave të publikuara të enjten nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), shifra ka rënë me 62% krahasuar me 204 mijë persona të regjistruar në 12 muajt pararendës.
Ky është niveli më i ulët i emigracionit neto që nga viti 1997, kur diferenca mes personave që mbërritën dhe atyre që u larguan nga vendi ishte 48 mijë.
Gjatë pandemisë COVID-19, kjo shifër kishte zbritur përkohësisht në 35 mijë, për shkak të kufizimeve të udhëtimit.
Sipas statistikave, në periudhën njëvjeçare deri në qershor, rreth 738 mijë persona emigruan drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 661 mijë të tjerë u larguan nga vendi.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, deklaroi se qeveria ka rikthyer kontrollin mbi emigracionin, duke theksuar se shifra aktuale është 92% më e ulët se kulmi i regjistruar gjatë qeverisjes së konservatorëve.
ONS vlerëson se emigracioni neto ka zbritur në nivele që nuk janë regjistruar zakonisht që nga vitet 1990.
Sipas institucionit, rënia e vazhdueshme lidhet kryesisht me numrin më të vogël të shtetasve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian që mbërrijnë në BM për arsye pune ose studimi./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.