Bozhinovska në takim me përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim: Synojmë përforcimin e partneritetit në fushën e efikasitetit energjetik
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me përfaqësues të bankës gjermane për zhvillim KfW, ku u shqyrtuan aktivitetet aktuale dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e efikasitetit energjetik.
Në qendër të bisedimeve ishin aktivitetet aktuale që KfW mbështet për rinovimin energjetik të konvikteve studentore, si dhe hapat e ardhshëm për zgjerimin e investimeve në rinovimin e objekteve publike dhe komerciale, me qëllim uljen e konsumit të energjisë, përmirësimin e kushteve të përdorimit dhe arritjen e kursimeve financiare afatgjata, njoftoi Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
“Efikasiteti energjetik është një nga mënyrat më të leverdishme për të krijuar shërbime publike me cilësi më të lartë, kosto më të ulëta dhe një sistem energjetik më të qëndrueshëm. Qëllimi ynë është të zgjerojmë shtrirjen e projekteve të tilla dhe të krijojmë një sistem që do të sjellë rezultate të matshme për institucionet dhe qytetarët”, theksoi ministrja Sanja Bozhinovska.
Në takim u bë gjithashtu një vlerësim i praktikave të suksesshme që zbatohen në vendet e rajonit, ndërsa u shqyrtuan edhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e modeleve të dëshmuara në Maqedoni, me qëllim realizimin më të shpejtë të investimeve të ardhshme në fushën e efikasitetit energjetik.
Theks i veçantë iu kushtua edhe krijimit dhe vënies në funksion të sistemit EPC, i cili përfaqëson një mjet kyç për monitorimin, verifikimin dhe menaxhimin e certifikatave të efikasitetit energjetik. Funksionimi i tij i plotë operacional do të mundësojë transparencë më të madhe, monitorim më të mirë të rezultateve të masave të zbatuara dhe planifikim më cilësor të investimeve të ardhshme, theksojnë nga Ministria dhe citojnë se vazhdojnë të forcojë partneritetet me institucionet financiare ndërkombëtare, me një qëllim të qartë – më shumë investime në efikasitetin energjetik, infrastrukturë publike më moderne dhe zhvillim të qëndrueshëm energjetik, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.