☁️
Tiranë 11°C · Vranët 26 Tetor 2026
S&P 500 7,624 ▼0.52%
DOW 52,215 ▼1.23%
NASDAQ 25,955 ▼0.21%
NAFTA 100.93 ▼2.27%
ARI 4,027 ▲0.46%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707
₿ CRYPTO
BTC $80,144 ▼ -0.64% ETH $2,320 ▼ -1.33% XRP $1.2880 ▼ -1.01% SOL $101.1100 ▼ -0.76%
S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 100.93 ▼2.27 % ARI 4,027 ▲0.46 % S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 100.93 ▼2.27 % ARI 4,027 ▲0.46 %
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707
26 Tet 2026
Breaking
Bota

BRAZIL – Lula fiton presidencialet, Bolsonaro kërkon anulimin e zgjedhjeve

RIO DE ZHANEIRO, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i majtë i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, është shpallur fitues i balotazhit presidencial, duke siguruar një mandat të ri në krye të vendit.

Rivali i tij, senatori i djathtë Flávio Bolsonaro, ka kundërshtuar rezultatin dhe ka deklaruar se do të kërkojë anulimin e zgjedhjeve.

Sipas Gjykatës së Lartë Zgjedhore, Lula siguroi rreth 51,8% të votave, kundrejt 48,2% të fituara nga Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Rezultati pritet të thellojë debatet politike në vend, ku përplasjet mes së majtës dhe së djathtës mbeten të forta.

Bolsonaro e cilësoi të papranueshëm vendimin për zgjatjen e orarit të votimit me dy orë dhe tha se do të kërkojë anulimin e procesit.

Ai pretendon se kjo masë përbën arsye për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor.

Vendimi për zgjatjen e votimit deri në orën 19:00 u mor nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Cristiano Zanin, pas raportimeve për probleme me transportin publik që penguan votuesit.

Masa u zbatua në të gjithë vendin, pas një kërkese të fushatës së Lulës.

Edhe fushata e Bolsonaros kishte kërkuar zgjatjen e votimit, por vetëm në disa shtete ku reshjet e dendura, përmbytjet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike kishin shkaktuar vështirësi.

Kundërshtimi i rezultatit ka rikthyer shqetësimet për tensione të reja politike në Brazil.

Lula arriti të përmbysë rezultatin e raundit të parë, ku kishte marrë 45% të votave, dy pikë përqindjeje më pak se Bolsonaro.

Kështu, ai u bë kandidati i parë që nga rikthimi i zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale në vitin 1989 që fiton balotazhin pasi ka dalë i dyti në raundin e parë.

Me këtë fitore, Lula mund të bëhet presidenti i parë brazilian i zgjedhur në mënyrë demokratike për katër mandate.

Ai pritet të marrë detyrën në janar 2027, në moshën 81-vjeçare, nëse kundërshtimi ligjor i rivalit të tij nuk ndryshon rezultatin.

Në reagimin e tij të parë, Lula e cilësoi fitoren si një humbje për mohimin e fakteve. Më vonë, ai u prit nga mijëra mbështetës në Avenida Paulista, në São Paulo, ndërsa në pjesë të ndryshme të vendit qytetarët dolën në rrugë për të festuar rizgjedhjen e tij.

Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar, pas sulmit të mbështetësve të Jair Bolsonaros ndaj institucioneve shtetërore në Brasília, në janar 2023. Ish-presidenti ishte dënuar me më shumë se 27 vjet burg për përpjekje për grusht shteti dhe ishte ndaluar të mbante poste publike. Ai ndodhet aktualisht në arrest shtëpie për arsye shëndetësore.

Gjatë qeverisjes së Lulës, papunësia ra në nivelin më të ulët të regjistruar, varfëria u zvogëlua dhe paga minimale u rrit. Qeveria mbështeti gjithashtu masa sociale dhe ekonomike, ndërsa u miratua zbatimi gradual i një jave pesëditore pune me dy ditë pushim.

Në fushën e mjedisit, shpyllëzimi në Amazonë ra nën administratën e Lulës. Megjithatë, Brazili vazhdon të përballet me sfida për arritjen e objektivit për t’i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, ndërsa disa projekte infrastrukturore kanë shkaktuar debate për ndikimin e tyre mjedisor.

Kostoja e lartë e jetesës, borxhi publik dhe politikat e shpenzimeve të qeverisë kanë mbetur burime pakënaqësie për shumë brazilianë. Një skandal që lidhet me mashtrime të dyshuara në sistemin e pensioneve ka rënduar gjithashtu mbi administratën e Lulës gjatë fushatës zgjedhore.

Presidenti i rizgjedhur do të përballet me një Kongres ku partitë e djathta kanë forcuar pozitat.

Fitorja e Lulës e mban Brazilin si një nga qendrat kryesore politike që kundërshtojnë zhvendosjen e një pjese të Amerikës Latine drejt së djathtës.

Marrëdhëniet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump pritet të mbeten të vështira, pasi Lula ka kundërshtuar rritjen e varësisë së Brazilit nga Uashingtoni. Ndërkohë, qeveria e tij pritet të vazhdojë politikat për mbrojtjen e Amazonës, në një klimë të tensionuar mes qeverisë, Kongresit dhe institucioneve gjyqësore./ a.jor.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.