BRUKSEL – BE-ja përgatitet për zgjerimin, liderët evropianë miratojnë konkluzionet për anëtarësimet e reja
– Liderët e Bashkimit Evropian kanë miratuar konkluzionet për zgjerimin dhe reformat e brendshme të Unionit, duke theksuar se pranimi i anëtarëve të rinj, kërkon përgatitje si nga vendet kandidate, ashtu edhe nga vetë BE-ja, sipas EEAS.
Në dokument, zgjerimi cilësohet si një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës, ndërsa nënvizohet se përparimi drejt anëtarësimit duhet të vijojë në bazë të meritave dhe rezultateve të reformave të secilit vend.
Në konkluzionet e miratuara, Këshilli Evropian rikujton rëndësinë e Deklaratës së Granadës dhe thekson se zgjerimi duhet të kontribuojë në përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve europianë, në reduktimin e dallimeve ndërmjet vendeve dhe në forcimin e vlerave mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian.
Dokumenti nënvizon se, në perspektivën e një BE-je me më shumë anëtarë, si vendet që synojnë anëtarësimin, ashtu edhe vetë Unioni duhet të jenë të përgatitura në momentin e zgjerimit.
Vendet kandidate duhet të vazhdojnë zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, ndërsa procesi i anëtarësimit do të vijojë të mbështetet te meritat dhe përparimi individual i secilit vend.
Paralelisht, BE-ja duhet të avancojë reformat e brendshme, të përcaktojë ambiciet afatgjata dhe mënyrat për realizimin e tyre, si dhe të trajtojë çështjet që lidhen me përparësitë, politikat dhe aftësinë e Unionit për të vepruar.
Sipas konkluzioneve, këto përpjekje synojnë ta bëjnë Bashkimin Evropian më të fortë dhe të forcojnë sovranitetin europian.
Këshilli Evropian ka marrë gjithashtu në dijeni komunikimin e Komisionit Europian me titull “Përgatitja për një Bashkim më të gjerë” dhe i ka kërkuar Këshillit të analizojë të gjitha aspektet e tij dhe të vijojë punën mbi këtë bazë.
Përsa i përket Malit të Zi, dokumenti mirëpret punën për hartimin e traktatit të anëtarësimit dhe vë në dukje synimin e presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, për të punuar drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve të mbetur të negociatave, në varësi të zbatimit të reformave përkatëse nga Podgorica.
Konkluzionet nuk përcaktojnë një datë të re për anëtarësimin e vendeve kandidate, por rikonfirmojnë orientimin e BE-së drejt zgjerimit dhe nevojën për përgatitje të mëtejshme nga të dyja palët. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.