BRUKSEL – BE sistem të ri komunikimi për shërbimet e emergjencës
BRUKSEL, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian planifikon të krijojë një sistem të përbashkët komunikimi për shërbimet e emergjencës, me synimin që ekipet e para të reagimit në vendet e BE-së të mund të komunikojnë menjëherë edhe përtej kufijve.
Komisioneri evropian për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, tha se siguria e Evropës varet nga aftësia për të vepruar së bashku dhe se, në situata ku rrezikohen jetë njerëzish, ekipet e emergjencës duhet të kenë mundësi të komunikojnë pa vonesa.
Nevoja për një sistem të tillë u bë e dukshme edhe gjatë një zjarri pyjor këtë verë në kufirin Gjermani-Belgjik, ku zjarrfikësit e dy vendeve humbën lidhjen gjatë operacionit.
Rrjeti i planifikuar do të përdoret nga policia, zjarrfikësit, shërbimet mjekësore dhe ekipet e mbrojtjes civile.
Ai do të aktivizohet në raste si fatkeqësi natyrore, kërcënime ndaj infrastrukturës kritike apo sulme terroriste.
Ndryshe nga sistemet tradicionale të bazuara kryesisht në radio, teknologjia e re do të përdorë rrjete broadband, përfshirë 5G.
Kjo do t’u mundësojë ekipeve të shkëmbejnë në kohë reale video, të dhëna, mesazhe tekst dhe informacion mbi vendndodhjen.
Komisioni Evropian synon që sistemi të funksionojë edhe kur rrjetet e zakonshme janë të mbingarkuara ose të dëmtuara, duke siguruar kanale komunikimi më të qëndrueshme gjatë krizave.
Sipas Brunner, zgjidhja do të zhvillohet së bashku me kompanitë evropiane, me synimin për të reduktuar varësinë e BE-së nga teknologjitë e huaja dhe për të rritur qëndrueshmërinë e saj në situata emergjente.
Komisioni synon ta vendosë sistemin gradualisht duke nisur nga viti 2030.
Megjithatë, plani duhet ende të miratohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.