BRUKSEL – Lufta në Iran i ka kushtuar konsumatorëve të energjisë në BE mbi 100 miliardë euro
BRUKSEL, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Rritja e çmimeve të energjisë si pasojë e luftës në Iran u ka kushtuar deri tani konsumatorëve në Bashkimin Evropian më shumë se 100 miliardë euro, deklaroi të martën komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jorgensen.
“Kjo tregon se sa e keqe është për ne varësia nga burimet e energjisë nga vende të tjera të botës”, tha Jorgensen në Dublin, gjatë një takimi të ministrave të Energjisë të BE-së.
Çmimet e naftës dizel dhe benzinës janë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Donald Trump ka shqyrtuar mundësinë e kufizimit të eksporteve të dizelit, një masë që mund të ketë pasoja për Evropën, pasi SHBA-ja është një nga furnizuesit kryesorë të tregut evropian.
Jorgensen tha se i kishte përcjellë një mesazh të qartë homologut të tij amerikan dhe publikut se, në kushtet aktuale, është në interes të SHBA-së dhe Evropës që rrjedha e energjisë të mbetet sa më e lirë.
Ai tha gjithashtu se ishte i kënaqur që sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, kishte hedhur poshtë idenë e ndalimit të eksporteve.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, tha se organizata po këshillon partnerët në mbarë botën, përfshirë SHBA-në, për situatën e furnizimit me dizel dhe gaz.
“Evropa është një nga rajonet më të ekspozuara, nëse jo më i ekspozuari, ndaj dizelit, sepse importon një sasi shumë të madhe dhe po hyjmë në sezonin e ftohtë, atë të dimrit”, tha Birol në Dublin.
Lidhur me mundësinë e çlirimit të rezervave strategjike të karburanteve, Birol tha se IEA po monitoron nga afër tregjet e produkteve të naftës.
Ndërkohë, Jorgensen iu referua legjislacionit të BE-së që aktualisht po negociohet mes vendeve anëtare dhe Parlamentit Evropian.
Synimi është ulja e konsumit të karburanteve fosile dhe përshpejtimi i elektrifikimit.
Sipas komisionerit evropian, kriza tregon nevojën për të zëvendësuar karburantet fosile të importuara dhe të kushtueshme me energji të prodhuar në Evropë dhe energji elektrike nga burime të gjelbra. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.