Çfarë kishte shkruar Shiroka-Pula për vendimin e Speciales para se të zgjidhej presidente e Kosovës
Justina Shiroka-Pula, e cila më 7 tetor u zgjodh presidente e Kosovës, kishte reaguar më 26 shtator, përmes një shkrimi në Facebook, ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Në reagimin e saj, Shiroka-Pula kishte shprehur rezerva të thella ndaj mënyrës se si është konceptuar dhe perceptuar kjo gjykatë, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme.
“Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara”, kishte shkruar ajo.
Shiroka-Pula kishte thënë se qëndrimi kritik ndaj Dhomave të Specializuara buron nga bindja se besueshmëria dhe qëndrueshmëria e drejtësisë varen edhe nga perceptimi për barazinë dhe paanshmërinë e saj.
“Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive”, kishte deklaruar Shiroka-Pula.
Ajo kishte theksuar se respektimi i procedurave juridike nuk e përjashton të drejtën për kritikë ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”, kishte thënë më tutje.
Shiroka-Pula kishte vlerësuar gjithashtu se proceset gjyqësore ndaj individëve nuk duhet të interpretohen si gjykim i përgjithshëm ndaj UÇK-së apo ndaj historisë së luftës në Kosovë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri”, kishte deklaruar ajo.
Po ashtu kishte theksuar se, pavarësisht respektimit të së drejtës për proces të rregullt dhe të mjeteve juridike në dispozicion, ajo mbetet kritike ndaj mënyrës së funksionimit dhe perceptimit të Dhomave të Specializuara.
“Shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë”, kishte shkruar Shiroka-Pula.
Në fund, ajo kishte thënë se institucioni që drejton do të jetë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit dhe interpretimit të të dhënave dhe fakteve lidhur me luftën në Kosovë.
“Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë”, kishte përfunduar Shiroka-Pula./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.